Ju flet Moska: Alibia e Erion Veliajt në luftën shtetërore kundër Ylli Ndroqit

Emisioni "Ju flet Moska" në Rtv Ora nga Kastriot Myftaraj e nisi edhe këtë javë të sezonit të ri televiziv me dosjen "Ndroqi" dhe skenarin e thurur kriminal kundër tij.

Këtë të hënë, Myftaraj foli për mënyrën sesi veproi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nxitësi politik i gjithë kësaj historie të shëmtuar, për të ndërtuar alibinë e vet.

Myftaraj: Javën e kaluar për katër ditë rresht kemi folur për mënyrën sesi u ndërtua skenari për ta nxjerrë Presidentin e Rtv Ora dhe Yldon Media Group Ylli Ndroqi një mafioz në mënyrë që ndaj tij të vihej në zbatim akti normativ i OFL dhe më pas ligji Antimafia. Në katër seri kam treguar me detaje, me dokumenta, sesi ndodhi kjo gjë, si u keqpërdor pushteti nga njerëz të veshur me pushtet që duhet të zbatonin ligjin por zbatonin urdhrin.

Sot do të flasim për mënyrën sesi veproi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nxitësi politik i gjithë kësaj historie të shëmtuar, për të ndërtuar alibinë e vet. Pasi kishte vënë në lëvizje shtetin, pasi kishte ndërtuar një skemë të presionit, helmimit të opinionit publik ndaj Ylli Ndroqit, pasi u arrit deri atje sa të sigurohej se ndonëse Ylli Ndroqi nuk mund të arrestohej do të merrej vendim shpronësimi në bazë të ligjit Antimafia, Erion Veliaj si makiavelist që është lëvizi për të ndërtuar alibinë e vet.

Gjatë kohës që pritej arrestimi i Ylli Ndroqit në korrik të këtij viti, gjatë kohës që më të zellshmit e këtyre shërbëtorëve të Erion Veliaj të veshur me pushtet në Departamentin e Policisë Kriminale i bënin qejfin duke i thënë se do të arrestohet, Veliaj ishte në një përballje gjyqësore me Ylli Ndroqin i paditur nga Ylli Ndroqi dhe në këtë gjyq ka pasur seanca gjyqësore në 14 korrik dhe 22 korrik. Në të dy këto seanca zoti Veliaj nuk është paraqitur duke nxjerrë si shkak axhendën e tij të ngarkuar dhe në fakt axhenda e tij përbëhet më shumë nga veprime disa minutëshe përballë kamerave televizive për të krijuar përshtypjen e axhendës së ngarkuar te qytetarët.

Në fakt pjesa më e madhe e axhendës së tij është turistike, shëtitje jashtë shtetit. Ndërkohë Erion Veliaj kishte dy avokatë që i çoi në seancë gjyqësore me ofertën ndaj Ylli Ndroqit për ta zgjidhur çështjen me pajtim por Ylli Ndroqi u vuri si kusht që të ishte i pranishëm Erion Veliaj në seancë pasi nuk kishte kuptim që një çështje të zgjidhet me pajtim midis avokatëve, i binte që avokatët e Veliajt të pajtoheshin me gjyqtarët e Ylli Ndroqit.

Gjyqtari i çështjes pasi dëgjoi dhe përgjigjen e zotit Ndroqi e shtyu çështjen në 22 korrik dhe pasi u përsërit e njëjta skemë, këtë radhë më e theksuar, gjyqtari e shty seancën në datën 9 shtator. Ndërkohë ndodhi shpronësimi. SPAK e çoi çështjen në Gjykatën e Posaçme mori vendim për sekuestrimin të pronave të zotit Ndroqi.

Erion Veliaj që e dinte paraprakisht këtë vendim që u shpall në fillim të gushtit, me 28 korrik e shpalli veten të sëmurë me koronavirus. Është për tu habitur që ky zotëria  i sëmurë me koronavirus, që duhet të ishte i ngujuar në shtëpi dhe kështu tha, në fakt kur u paraqit para mediave me 14 gusht ishte i nxirë nga fytyra, si një njeri që ka marrë rreze dielli nëpër plazhe. Gjatë kësaj dalje i quajti gënjeshtra fjalët që ka qenë në Turqi për kurim. Por ai në Turqi nuk ka qenë për kurim por për turizëm. Kjo vërtetohet në sistemin TIMS.

Ai ka dalë nga Shqipëria dhe ka hyrë në Shqipëri rreth mesit të gushtit përsëri. Kjo çështje duhej të ishte bërë dhe objekt hetimi nga policia kriminale sepse në Shqipëri ekziston një ligj i miratuar me aktin normativ që kur filloi pandemia sipas të cilit kur qytetarët me koronavirus me vetëdije e përhapin  atë, nuk zbatojnë karantinën, dënohen rëndë, me disa vjet burg. Është detyrim një hetim ndaj Kryetarit sepse e ka shkelur këtë ligj. Është ende në kohë për tu bërë hetimi, është detyrim i strukturave të Policisë së Shtetit të bëjnë këtë hetim të thjeshtë, të administrojnë thëniet e Kryetarit se është me koronavirus.Këto janë fakte. Këtij zotërisë i duhej një alibi, nuk ka pse bën përjashtim nga ata qytetarët që përditë po dënohen me gjobë se nuk mbajnë maskë. Kjo ishte historia e alibisë së Erion Veliajt, të dhënat janë se ai ende nuk ka mbaruar me këtë histori.

Ka përdorur disa metoda për të luftuar Ylli Ndroqin. Pilati u mjaftua duke larë duart kur dënoi Krishtin, ky shkoi dhe u la në Turqi i gjithi, në Antalia. Në këtë histori ka edhe shumë anë të tjera. Është një në dhjetor ku Veliaj i dërgon mesazhe kërcënuese zotit Ndroqi me anë të një të forti të lidhur me qarqet e trafiqeve të drogës, këta që akuzonin për trafik droge me legjenda si dhe pronar i ndonjë mediaje, korrier mesazhesh. Për këtë do të paraqesim dhe prova, fotografi dhe regjistrime që tregojnë se me kë pi kafe Kryebashkiaku me bluzën e Supermenit.

Në të ardhmen do të ketë shumë gjëra të tjera sepse Kryebashkiaku i harxhoi fishekët që kishte, nuk ka më fishekë në armën e vet kundër Ylli Ndroqit, ne na kanë mbetur edhe disa sepse i kemi shpenzuar me kujdes. Si në ato duelet sportive, publiku të rrijë dhe të shikojë me kureshtje se çfarë zhvillimesh do të ketë. Nuk përjashtohet që nga mendja e Kryebashkiakut si Supermen i deklaruar që është të dalin plane të reja, skenare të reja... Çfarë nuk pritet nga njerëz të tillë që shpërdorojnë pushtetin. Ne këtu jemi për ti thënë të gjitha...