Lajmi i mirë nga kampi Al-Hol në Siri/ Eva Dumani është gjetur, gazetari Kopliku tregon se kur mund të riatdhesohet
Një lajm i mirë vjen nga Siria për familjen Dumani. Vajza e tyre është gjetur nga autoritetet e kampit Al-Hol dhe po mbahet në vëzhgim.
Lajmin e bëri me dije për Ora News, gazetari Taulant Kopliku, duke ju referuar informacionit të një kolegut të tij gazetar në Siri me të cilin është në kontakt që nga riatdhesimi i Alvin Berishës.
Siç edhe bën me dije Kopliku, Eva pritet të riatdhesohet së bashku me tre gra dhe fëmijët e tyre që janë në pritje në kampin Rozh.
Pak ditë më parë në Shqipëri u krye riatdhesimi i grupit të parë nga Siria, përkatësisht i Floresha Rashës me tre fëmijët e saj dhe i vëllait të Evës, Endri Dumani.
Kopliku: Kam komunikuar ditën e djeshme me një kolegun tonë gazetar sirian me të cilin kemi pasur kontakte të vazhdueshme që nga vizita jonë në Siri nga shërbimi që kemi bërë atje për Alvin Berishën. Më ka saktësuar që Eva Dumani është gjetur nga autoritetet e kampit Al-Hol dhe ndodhet në kamp, nuk është transportuar në kampin Rozh.
Në kampin Rozh janë katër gra në pritje së bashku me fëmijët e tyre të cilat janë transportuar prej disa kohësh atje.Kanë qenë së bashku me Floresha Rashën, ato janë lënë atje ndoshta dhe për verifikim dokumentash dhe për të saktësuar dhe ndonjë situatë problematike që mund të kenë pasur në të kaluarën e tyre.
Çdo grua që do të lëshojë kampin do të ketë dhe një letër shoqëruese që vërteton se ato nuk kanë qenë të përfshira në krime. Ndërkohë që Eva Dumani është gjetur dhe ky është lajm i mirë, gjithmonë sipas gazetarit që i referohem unë dhe mbahet në vëzhgim në kampin Al-Hol. Në transportimin e dytë që do të bëhet për fëmijët jetimë pritet të bashkohet edhe Eva Dumani. Ky është lajmi i saktë që unë i referohem gjithmonë gazetarit sirian.
I pyetur rreth arsyeve që Eva u nda nga i vëllai, duke refuzuar në momentin e fundit riatdhesimin, Kopliku ngre këto dyshime.
Kopliku: Është pak e komplikuar situata e vajzës atje. E përjashtoj totalisht mundësinë që ajo të mos ketë dëshirë të kthehet sepse ka qenë një nga fëmijët simbol të dëshirës për tu kthyer duke shkëmbyer vazhdimisht mesazhe jo vetëm me të afërmit e saj por edhe me gazetarin i cili e ka ndjekur nga afër këtë çështje, kolegu Jul Kasapi që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për ti rikthyer këta fëmijë.
Eva ka qenë në pararojë të kërkesës për tu kthyer.Në momentin e fundit ajo çuditërisht ka refuzuar, këtu diçka "mban erë", diçka që nuk varet nga ajo vetë.Informacionet që janë shpërndarë në media kanë të bëjnë me një grua të xhihadistit të vrarë që është radikalizuar mjaft dhe vazhdon të ketë qëndrime radikale, e cila ka shpërndarë lajmin se çdo grua dhe vajzë që do të shkonte drejt kampit Rozh do të kishte konseguenca dhe me humbje jete.
Por ndoshta dhe një lloj presioni që mund ti jetë bërë Evës ka bërë që ajo të ndërrojë mendje në çastin e fundit dhe ti bashkohet këtij grupi të grave që për disa ditë qëndruan në arrati. Kjo shtyu dhe kthimin e grupit të parë të fëmijëve shqiptarë sepse dy agjentët shqiptarë në terren së bashku me Gjysmëhënën e Kuqe dhe administratorët e kampit në Al-Hol e kërkuan për disa ditë Eva Dumanin nëpër çadrat e kampit, por duke patur parasysh sipërfaqen shumë të madhe të kampit dhe numrin shumë të madh të çadrave u bë e pamundur për momentin. Lajmi i mirë është se ajo është gjetur dhe mbahet nënë vëzhgim nga autoritetet.
Gazetari Kopliku thotë se shteti shqiptar është shumë i vonuar në këtë proces, duke ju referuar këtu edhe Kosovës, dhe sipas tij situata e krijuar me tërmetin e më pas pandemia nuk janë justifikime.
E ndërsa çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet dot, lajmi i mirë, gjithmonë sipas Koplikut që ju referohet burimeve të tij në Siri, është se deri në fund të nëntorit nga Libani do të fluturojë një tjetër avion drejt Rinasit me fëmijë dhe gra shqiptare.
Kopliku: Kërkesa jonë e të gjithëve është të sillen sa më shpejt. A janë vonuar? Sigurisht që po. Në kampin Al-Hol ata janë vendosur prej një viti e gjysmë. Në muaj e parë dakord, pasi të gjitha shtetet hezitonin për të kërikuar fëmijët dhe gratë e vendit të tyre në atë kamp. Por në momentin që Kosova bëri një lëvizje të shpejtë dhe mori 110 gra dhe fëmijë, pastaj shkuam ne me trupën italiane dhe e sollëm me pamje situatën e atjeshme, shkoi trupa shqiptare e një televizioni e cila mori kontakte me gratë dhe fëmijët shqiptarë, opinioni dhe vetë politikanët e panë sesi është situata atje. Duhej vepruar, duhej lëvizur.
Nga ky moment dhe pas ka pasur një vonesë të jashtëzakonshme. Nëse në rastin e Alvinit autoritetet italiane lëvizën shumë shpejt dhe arritën ta marrin në një muaj pas denoncimit tonë, u desh një kohë shumë e gjatë që autoritetet shqiptare të dërgonin dy persona atje në terren. Rreth një muaj më parë në Liban ishte dhe Ministri i Brendshëm. Mendoj se duhej lëvizur më shpejt. Ka justifikime si situata e tërmetit që zgjati shumë apo dhe Covid, por nuk besoj se ishin pengesa të mëdha për të çuar agjentët në terren dhe për të ndjekur nga afër procedurën për rikthimin e grave dhe fëmijëve. Por shpresojmë se tani do të ketë lajme pozitive.
Kuptohet që do të jetë prapë e vshtirë pasi autoritetet kurde atje po marrin në sitë të gjitha gratë që hetohen një për një për të parë nëse kanë patur një të kaluar kriminale në radhët e ISIS. Por mbetemi me shpresën që shumica e fëmijëve të kthehen sa më shpejt. Kolegu im sirian më ka thënë që për një muaj do të ketë një tjetër avion që do të vijë në Shqipëri me fëmijët jetimë.
Por Kopliku njeh vështirësitë që has ky proces për shkak të sigurisë.
Kopliku: Situata atje nuk është më e mira e mundshme, ka problematika. Duhen krijuar korridore të sigurta kalimi që janë të vështira për tu krijuar. Gjeopolitika në Siri jo vetëm është e komplikuar por edhe ndryshon dita-ditës. Duhen bërë bisedime dhe marrëveshje delikate me më shumë se një palë. Nuk është një justifikim.
Intervista në studio me gazetarin Leftion Peristeri, përgatiti për online Besjana Kuçana