Dita e 17 e grevës së naftëtareve në Ballsh, përkeqësohet gjendja shëndetësore e tyre: Shikojmë njëra-tjetrën kur gdhihemi dhe themi shyqyr o Zot! Mosreagimi na bën më të forta

Sot shënon edhe ditën e 17 të hyrjes në grevë të grave naftëtare në Ballsh.

Gjendja e tyre nuk paraqitet fare e mirë, ndërkohë që ato këmbëngulin që do t’i shkojnë deri në fund grevës.

Njëra prej naftëtarëve ka qëndruar për tre ditë në spital, teksa ka vendosur të kthehet menjëherë në grevë. Ajo ka arritur të sigurojë ilaçet e rekomanduar nga mjeku vetëm për tre ditët në vijim si pasojë e pamundësisë financiare.

"Erdha nga spitali me recetën e ilaçeve. Kam mundur të marr ilaçe vetëm për tre ditë. Aq lekë mu ndodhën, vetëm të marr ilaçe për tre ditë. Të punosh në uzinë dhe të marrësh ilaçet pa rimbursim që kemi punuar me vite me radhë, dhe duhet t'i marrim me lekë, nuk mund t'i marrim me rimbursim. Për tre ditë mora 17 mijë lek ilaçe. Llogarit sa bëjnë të tjerat pastaj. Unë, edhe pse kisha një gjendje shumë të rënduar, me diabet të fshehtë shumë të rëndë, unë përsëri erdha këtu, tek shoqet", ka thënë ajo.

Grevistet i kanë bërë edhe njëherë të qartë kryeministrit Edi Rama se ai duhet të shkojë t’i vizitojë nëse pretendon negociata për ndërprejen e grevës.

"Sot është dita e 17-të. Nga shëndeti nuk jemi aspak mirë. I shërbejmë dhe e shikojmë njëra tjetrën në sy që të gdhihemi të nesërmen dhe themi shyqyr o Zot. Mosreagimi i kryeministrit na bën akoma më të forta. I lutemi kryeministrit që të reagojë një sahat e më parë se po na vdes çdo ditë e më shumë. Jemi shumë keq, po na vret stresi. Nga greva nuk dal, këtu do të rrijmë të ngujuara", është shprehur njëra prej naftëtareve.

https://youtu.be/WyIcaIBhGik