Landfilli i Sharrës, Zhupa: Është rritur taksa e pastrimit me 15%. Kush i merr paratë e shqiptarëve
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa nga Landfilli i Sharrës ka treguar se taksat e qytetarëve janë rritur me 15%.
Zhupa ka vijuar me akuzat e saj se paratë e qytetarëve shkojnë në parajsa fiksale, teksa i ka bërë thirrje SPAK të nisë hetimet.
Zhupa: Pra ne paguajmë çdo muaj afërsisht 1.2 milion euro nga taksat tona për pastrimin e qytetit dhe për menaxhimin e mbetjeve të qytetit të Tiranës. Dhe në shkëmbim nuk marrim asgjë nga milionat euro që jemi duke harxhuar. Ne paguajmë shumë shtrenjtë këtë shërbim edhe duke paguar një rritje në tarifën e pastrimit që ka vendosur bashkia Tiranës për qytetarët e Tiranës, për biznesin e vogël dhe të madh të Tiranës.
Konkretisht e ka rritur çmimin e tarifës së pastrimit me 15%, para këto që janë të destinuara për inceneratorin që nuk punon. Ne paguajmë më shumë 7500 lekë, biznes i vogël paguan më shumë 22 mijë lekë dhe biznesi i madh paguan më shumë 110 mijë lekë.
Të gjitha këto para shkojnë tek pronarët që nuk dihen, shkojnë në parajsa fiskale, shkojnë atje ku duhet të zbulohet nga SPAK-u. Kush janë pronarët e vërtet? Kush i merr milionat e eurove të shqiptarëve, të qytetarëve të Tiranës dhe na ofron një keqmenaxhim të tillë dhe nuk na ofron shërbimin për të cilin kemi paguar. Qytetarët e Tiranës meritojnë një përgjigje. SPAK nuk duhet të vazhdojë të hesht. Paditë penale të Partisë Demokratike duhet të hetohen sa më shpejtë.