Sistemi i Drejtësisë, Rama me tone të ashpra: Të futen në burg gjykatësit dhe prokurorët! Janë të korruptuar
Nga Kukësi, Kryeministri Edi Rama, iu rikthye reformës në drejtësi, ndërsa tha se mandati i tretë është zgjedhja më e mirë për të çuar deri në fund këtë reformë.
Ai siguroi se të gjithë politikanët apo biznesmenët e korruptuar dhe kriminelët do të japin llogari, duke shtuar se burgjet që janë rindërtuar me paratë e BE nuk do të qëndrojnë shumë gjatë në pritje për “peshqit e mëdhenj”.
Ai i ka akuzuar prokurorët dhe gjykatësit si të korruptar, ndërkohë që ka kërkuar të dënohen ata që nuk justifikojnë pasurinë përpara vettingut.
Rama: Në burg nuk të fut as partia në pushtet, as qeveria dhe as kryeministri. Në burg të fut drejtësia dhe që drejtësia të të fusë në burg, duhet të hyjnë në burg ata që e kanë penguar drejtësinë të fusë në burg prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, ata të cilët ka filluar t’i pastrojë vettingu. Bashkë me ata që s’janë pastruar akoma, e dinë që s’do ta kalojnë vettingun dhe vazhdojnë të bëjnë krime me atë çekiçin e gjykatësit. Duhet të shkojnë ata në burg, siç thotë edhe Këshilli Europian, Bashkimi Europian, që Shqipëria për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet të fusë në burg gjykatësit dhe prokurorët që kanë dalë nga vettingu se kanë pasuri të pajustifikueshme. Ata duhet të japin llogari për atë pasuri.
Kryeministri, nuk qendroi larg debatit poltik, duke iu është përgjigjur akuzave dhe deklaratave të forta të presidentit Ilir Meta. Ai tha se kreu i shtetit është kthyer në "një lolo."
"Njerëzit edhe rrjedhin, lajthisin, i lëshojnë pëllumbat. Nuk parashikohet kjo.
Çfarë do Ilir Meta dhe çfarë borxhi i kanë shqiptarët partisë së tij? Për cilën arsye duhet t’i japin votën partisë së tij?"
Ironik ishte edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.
"Mos harroni ju jeni me PD-ne, po mos harroni se votoni këtë herë Lulin, nuk merrni Lulin por Monikën bashkë me Ilirin"
Ndër të tjera, ai u ndal edhe tek aeroporti i Kukësit, duke thënë se do të bëjë çmos që ky projekt të finalizohet.
Ai nënvizoi se ndërtimi i këtij aeroporti do të hapë mijëra vende pune, si dhe do të rrisë dhe interesin e investitorëve të huaj për turizëm malor.
Kryeministri garantoi se linjat që do të operojnë në këtë aeroport do te jene krejt të ndryshme me ato të Rinasit apo Aeroporit të Prishtinës.