Shantazhoi biznesmenin, 31-vjeçari në gjykatë: I gjeta vendin për ndërtim, nuk më pagoi lekët

Togat e zeza në kryeqytet kanë lënë në qeli me afat të pacaktuar 31-vjeçarin Fletur Zani, i cili shantazhoi një biznesmen ndërtimi duke i kërkuar shumën prej 500 mijë eurosh. Sipas prokurorisë konflikti mes të riut dhe biznesmenit është regjistruar pas premtimit për një pagesë për gjetjen e një sheshi ndërtimi.

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat Fletur Zanin 31-vjeç, i cili akuzohet se kanosi një biznesmen ndërtimi për dhënie pasurie.

Zani dyshohet se i ka kërkuar biznesmenit në periudha të ndryshme kohore rreth 500 mijë euro dhe 200 m2 tokë për ti gjetur një shesh ndërtimi për një pallat.

Gjatë seancës gjyqësore prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” ndërsa vetë i pandehuri ka pranuar kanosjen që ka kryer.

Ai ka pretenduar se i ka gjetur vendin për ndërtimin e pallatit, por biznesmeni ia ka dhënë një të njohur i të tij për të ndërtuar duke shmangur kështu pagesën që i ka premtuar 31 vjeçarit.

 I gjithë konflikti ka nisur para një viti e gjysmë kur biznesmeni dhe Zani takohen ku bien dakord për të negociuar për një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës, në të cilën do ndërtohej pallati.

Sipas dosjes së prokurorisë, biznesmeni pak kohë më pas informohet se dikush tjetër kishte filluar punën aty dhe i painteresuar më tej refuzon ofertën e 31-vjeçarit, që bënte rolin e sekserit.

Sipas prokurorisë, më pas 31- vjeçari shkon takon përsëri biznesmenin, dhe i thotë se e ka prerë në besë pasi ka futur dikë tjetër në këtë ndërtim, duke e eliminuar Zanin nga përfitimi.

I gjendur përpara situatës, biznesmeni bën një deklaratë noteriale ku shprehet se nuk kishte asnjë lidhje me ndërtimin në qendër të Tiranës.

Ndërkohë 20 ditë më parë, 31-vjeçari i shkruan në ëhatsup biznesmenit, duke i thënë se kishte verifikuar që ndërtuesi i cili vijon punën në qendër të Tiranës kishin lidhje bashkë në biznes, ndaj duhej të paguante shumën, të cilën mund t’ia zbriste deri në 400 mijë euro.

Kjo kërkesë e të riut është refuzuar sërish, por kulmi i tensioneve u regjistrua 1 javë më parë, kur Zani ka shkuar në lokalin e biznesmenit.

Përveç kërcënimit në lokal, sipas prokurorisë Zani e ka kërcënuar edhe nëpërmjet mesazheve në Facebook duke i shkruar të bënte kujdes pasi ka fëmijë për të rritur.

31-vjeçari nuk është emër i panjohur për policinë pasi dhe më herët ka rënë në prangat e bluve. Fletur Zani është arrestuar dhe në vitin 2015 pasi gjykata e Tiranës i kishte caktuar arrest me burg për moskallëzim krimi.

Ai dyshohej nga policia se ka patur dijeni mbi një ngjarje të ndodhur në kryeqytet ku iu bë atentat një shtetasi.

Fillimisht i riu u dyshua si personi që ka kryer plagosjen por hetimet e mëvonshme vërtetuan se ai thjesht ka patur dijeni dhe nuk ka njoftuar autoritetet.