Ju flet Moska-Një krim shtetëror: Si u sajua dosja mafioze për Ylli Ndroqin(1)
Emisioni "Ju flet Moska" nga Kastriot Myftaraj nisi këtë të martë sezonin e ri televiziv. Në fokus të kësaj puntate të parë ishte ajo që Myftaraj e cilësoi krim shtetëror, sajimi i dosjes mafioze për pronarin e Yldon Media Group, Ylli Ndroqi.
Ai tha se do të ketë një cikël emisionesh për këtë çështje të mbështetura në prova dhe dokumenta që do të faktojnë sesi është krijuar një grup i strukturuar kriminal për të arrestuar dhe shpronësuar Ylli Ndroqin.
Myftaraj: Do ta nis me një seri emisionesh, ndoshta 3-4 ku do tu tregoj për një krim shtetëror, sesi ndërtohet një krim shtetëror duke u bazuar në një shpifje, si u sajua dosja mafioze për Ylli Ndroqin, Presidentin e Yldon Media Group të Rtv Ora. Gjithçka do ta tregoj të dokumentuar.
Në ekran shikoni një foto të famshme, të atij që u quajt "grupi çiftelia" në policinë e shtetit kur PD ishte në pushtet dhe sot një nga anëtarët e tij mund të quhet anëtar i një grupi të ri, të kohës kur PS është në pushtet. Është fjala për zotin Tonin Vocaj, drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Mund ta quajmë anëtar të grupit "gajdeja e vjetër", është një grup i strukturuar kriminal në kuptimin juridik të fjalës jo thjesht mediatik që është krijuar për të arrestuar dhe shpronësuar Ylli Ndroqin.
Vocaj nuk ka pse fyhet nga fjala gajde, është një vegël muzikore fisnike që përdoret në Shqipërinë e jugut. Është me famë sidomos në krahinën nga e ka prejardhjen zoti Veliaj. Mund ta quajmë dhe gajdexhi. Përdorimi i një vegle muzikore në një mjedis të tillë me vrasës policësh është një gjë që krijoi ilaritet në media. Sa i përket këtij krimi shtetëror, sajimit të një dosje mafioze për një qytetar, për një pronar mediash, për një biznesmen unë kam bërë hulumtimin tim të mirëfilltë që nis me veprimtarinë e këtij burrit që del me bluzën e supermenit, kryebashkiakut më të pasur të Europës, Erion Veliaj. Një burrë 41 vjeç që del me bluzën e supermenit tregon se ka një çrregullim të rëndë personaliteti dhe në çdo vend do të kërkohej trajtimi psikiatrik i tij. Bluza e supermenit mund të vishet deri në moshën 20 vjeç por jo në moshën 40 vjeç të dalësh përditë gjithandej me bluzën e supermenit.
Hulumtimi im ka hyrë thellë në të ashtuquajturat dokumente sekrete dhe konfidenciale, të cilat nuk janë as sekrete dhe as konfidenciale në kuptim të ligjit, por gënjeshtra të klasifikuara. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku gënjeshtra klasifikohet si krim shtetëror, i vetmi vend në Europë ku shpifja zë vend si sekret.
Në vazhdim do të tregoj sesi u keqpërdorën, si u shtrembërua përmbajtja e dokumentave të ardhura nga jashtë shtetit të kërkuara me porosi nga autoritetet policore shqiptare ndaj homologëve të tyre në Itali dhe Turqi, dokumente të cilat zyrtarisht kishin qëllim informimin për veprimtarinë e supozuar kriminale të zotit Ndroqi dhe kur nuk erdhën në mënyrën e dëshiruar thjesht u shtrembërua përmbajtja e tyre për t'iu përshtatur qëllimeve të atyre që kishin bërë një plan.Një plan që është më i hershëm, por që në janar u shndërrua në një operacion. Burri me bluzën e supermenit ja vuri dhe emrin jozyrtar operacionit "Supermeni godet".
Ky operacion ka pasur qëllim dhe them që ka ende, arrestimin e Ylli Ndroqit dhe shpronësimin e tij. Është bërë dhe presion publik, Erion Veliaj me skuadrën e tij të helmimit, analistëve në kafene, deri edhe ndonjë analisti i brendshëm i Rtv Orës që shërbente si kolonë e pestë e Veliajt dhe të tjerë njerëz që mbushën kafenetë duke thënë se do të arrestohet Ylli Ndroqi. Qëllimi ishte ti bëhej presion të arratisej, do ta kishin më të lehtë punën si me biznesmenë të tjerë që i detyronin të arratiseshin dhe pastaj lëshonin urdhër-arresti, merrnin vendime shpronësimi pasi arratisja shihet si fajësi.
Kishin gati editorialistët e llojit Mero Baze të hynin në fazën e dytë duke thënë se u arratis se ishte fajtor, po të ishte i pastër do të rrinte në Shqipëri. E vunë midis dy rreziqeve. Tonin Vocaj dhe oficerët OPGJ kanë bashkëpunuar në këtë histori. Sot bëra një hyrje të gjithë kësaj, nesër do ta shtjelloj sesi në janar nisi të veprojë grupi i strukturuar kriminal duke dashur në fillim të përdorë OFL dhe më pas kaluan në ligjin Antimafia.