Numri më i lartë që prej fillimit të pandemisë, mes 7 viktimave nga Covid një mjek dhe një infermiere
Në 24 orët e fundit u shënuan 7 viktima si pasojë e koronavirusit, numri më i lartë që prej nisjes së pandemisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 1 mijë e 278 testime ndërsa kanë rezultuar pozitiv 284 persona.
Covid-19 shkaktoi një bilanc tragjik të martën, ku u shënuan 7 vdekje.
Mes viktimave janë edhe dy punonjës së sistemit shëndetësor, një infermiere 50-vjeçare nga Elbasani dhe një mjek 64-vjeçar nga Lushnja.
Por virusit nuk mundën t`i mbijetonin një 61 vjeçare, një 62 vjeçar dhe një 76 vjeçar nga Tirana, një 78 vjeçar nga Fieri si dhe një 81 vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese.
Numri i testimeve krahasuar me një ditë më parë ishte sërish i ulët. Ministria e Shëndetësisë njofton për 1 mijë e 278 teste, nga të cilat kanë rezultuar me koronavirus 284 persona.
Gjendja paraqitet e rënduar edhe në dy spitalet Covid ku numri i pacientëve të shtruar ka shkuar në 285, 15 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 9 të tjerë të intubuar.
Përkundër situatës së zymtë numri i personave të shëruar është po ashtu në rritje.
103 pacientë kanë mundur të mposhtin Covid-19 duke e çuar numrin e të rikuperuarve në 10 mijë e 808.
Kjo është e 13-ta ditë që kur ka hyrë në fuqi akti normativ për mbajtjen me detyrim të maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë, por mesa duket kjo masë parandaluese ende nuk po jep efekt.
Por ata që e kanë shkelur urdhrin janë ndëshkuar nga policia e cila të martën vendosi gjoba ndaj 621 personave.