Kodi Zgjedhor, Pollo: Rama konfrontohet me Brukselin, përgjegjësi e shqiptarëve të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën

Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit, i cili tha se nuk do të presë Venecian për të rivotuar Kodin Zgjedhor në Kuvend.

Në një postim në facebook, Pollo thotë se Edi Rama refuzoi sot sërish Komisionerin e Zgjerimit Várhelyi i cili i kishte kërkuar vetëm që ligji elektoral të mos devijonte nga normat europiane dhe të priste e të respektonte Komisionin e Venecias.

Pollo: Kështu është vepruar gjithmonë në Shqipëri në tridhjet vitet e fundit. Madje jo vetëm tek ne por në tërë Europën e më gjerë.

Sipas Pollos, Edi Rama sinjalizoi jo vetëm me fjalë goje por edhe me kartonë të kuq se atij nuk i intereson Shqipëria në Bashkimin Europian dhe vlerat europiane në Shqipëri.

Pollo: Jo se nuk e ka bërë këtë më parë; por gjithësesi është orvatur të fshehë dorën mbasi ka hedhur gurin. Me kalimin e viteve në pushtet orvatjet e tij u bënë gjithnjë e më të pasuksesshme. Por sot Rama konfrontohet hapur me Brukselin. Sot edhe Brukseli ka folur açik për Ramën. Që t'a dëgjojnë edhe ata që nuk kanë patur sy për të shikuar e veshë për të dëgjuar.

Ish-deputeti thekson se Rama provoi edhe njëherë sot se nuk është faji i shqiptarëve që Maqedonia e Veriut do të hapë e para negociatat duke u shkëputur nga Shqipëri, por është përgjegjësi e tyre për të kaluar këtë pengesë me votën e tyre në 25 prill.

Pollo: Nuk është faji i tyre që  mund të ngecim vite të gjata mbas maqedonasve e të tjerëve në Ballkan. Por është përgjegjësi e tyre që me të gjitha mjetet demokratike të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën; gërmadhën që quhet Edi Rama. Ta largojnë duke dalë në rrugë dhe në 25 prill duke votuar në masë.  Gjithësesi faleminderit Komisionerit, eurodeputetëve e të tjerëve që nuk u kursyen për të na ndihmuar; dhe folën qartë si kurrë më parë për të treguar edhe problemin edhe zgjidhjen.