“Dhuro flokë, fal shpresë" Djemtë dhe vajzat presin flokët, i dhurojnë për të sëmurët me kancer

Jo vetëm vajzat, por edhe djemtë janë sensibilizuar me gratë e sëmura me kancer gjiri. Pak fije floku është një dhuratë shprese për këtë kategori, ndaj kjo nismë ndërmerret edhe këtë vit dhe pavarësisht pandemisë, mblodhi një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish.

I pari që dhuroi flokët këtë vit, ishte një djalë, i cili u nis ndër të tjera edhe nga rasti që ka pasur në familjen e tij.

"Në fillim, doja t'i zgjasja flokët kot, për qef. Kur pashë që po zgjateshin shumë, thashë po i dhuroj meqë edhe tezja ime ka kaluar sëmundjen e kancerit", është shprehur i riu.

Interes kishte dhe nga moshat e vogla, të cilat më shumë se çdo gjë tjetër kërkojnë që të ndihmojnë gratë me kancer gjiri.

"Jam 11 vjeç dhe u bashkova pasi kisha dëshirë që të dhuroja flokët dhe të dhurosh flokët është diçka shumë e bukur", tregon 11-vjeçarja.

Muaji tetor, që ndryshe njihet si "Tetori Rozë" ka për synim që të sensibilizojë qytetarët për të ndihmuar me çfarë të munden pacientët me këtë sëmundje. Gjatë vitit të kaluar, 700 raste të reja me kacer gjiri u raportuan në vendin tonë, ndërsa përgjatë vitin 2019 janë kryer 20 mijë mamografi në të gjithë vendit.