Qeveria dhe Liga Profesioniste pranë akordit, por as këtë fundjavë nuk ka futboll
Është zhvilluar ditën e sotme raundi i dytë i bisedimeve mes Ligës Profesioniste të Futbollit, e përfaqësuar nga presidenti Edvin Libohova, dhe Ministrisë së Financave, me ndërmjetësues të mandatuarin e kryeministrit Rama për zgjidhjen e ngërçit, deputetin Fidel Ylli.
Në përfundim të këtij takimi palët në bisedime u shfaqën optimistë për zgjidhjen përfundimtare të problemeve, çka do të çonte në dhënien fund të bojkotit.
“90% e kërkesave janë të realizueshme, flasim për tri pikat. Çështja mbetet te Ligji i Sponsorizimit. Duhet gjetur modaliteti më i përshtatshëm, që vlen për një periudhë sa më të gjatë. Sa i përket faljes së gjobave nga tatimet, duhet bërë një ligj i përbashkët për të gjitha bizneset. Pikat e përcaktuara nga Ministria e Financave do të dorëzohen te kryeministri për miratimin final”, është shprehur Ylli.
Edhe në fjalët e presidentit të Ligës Profesioniste, Edvin Libohova u kuptua qartë se mund të ketë konsensus mes palëve.
“Bojkoti vazhdon, derisa sa të jetë zgjidhur problemi i ngritur nga ne. Takimi dhe konkluzionet janë pozitive. Të premten do të ketë një takim tjetër për të finalizuar zgjidhjen. Futbolli e mirëpret një të tillë, por nuk mund të them nëse mund të luajmë këtë fundjavë, apo tjetrën”, u shpreh Libohova.
4 kërkesat e LPF për qeverinë:
Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.