Bojkoti vazhdon/ Liga Profesioniste: Ndryshojmë vendim vetëm nëse na plotësohen kërkesat
Sportdashësve do ti duhet ende kohë për të parë ekipet e futbollit shqiptar të zbresin në fushën e lojës.
Edhe mbledhja e kësaj të hënë e Ligës Profesioniste të Futbollit, ku pritej një vendim për heqjen dorë nga bojkoti dhe rinisjen e kampionatit kombëtar, nuk ka sjellë lajmin e pritur.
Liga Profesioniste e Futbollit nuk lëviz nga qëndrimi i saj: bojkoti vazhdon deri në plotësimin e kërkesave nga ana e qeverisë.
“Liga vendosi që bojkoti të vazhdojë derisa qeveria të plotësojë kërkesat tona. Nëse nesër do të ketë tym të bardhë nga takimi në ministri, qëndrimi do ndryshojë. Ne ndryshojmë mendim dhe vendim vetëm nëse na plotësohen kërkesat.
Vetëm kanë filluar bisedimet, nuk kemi marrë asnjë vendim. Nesër kemi takim dhe presim të kemi një propozim për të zgjidhur këtë çështje. 10 klube duan që të mos fillojë dhe asnjë nuk do të fillojë pa u plotësuar kërkesat.”, u shpreh pas mbledhjes presidenti i LPF-së, Edvin Libohova.
4 kërkesat e LPF për qeverinë:
Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.