Pas fitores në derbi një tjetër lajm i mirë/ Mbrojtësi i Milan fiton betejën me Covid-19

Tekniku i Milanit, Stefano Pioli, mund të marrë frymë lirisht para ndeshjes ndaj Celtic në Ligën e Europës.

Braziliani Leo Duarte ka arritur të mposhtë koronavirusin dhe nga dita e nesërme mund të nisë përgatitjet me ekipin.

Lajmin e jep vetë klubi kuqezi, që thekson se testi i fundit i Duarte ka rezultuar negativ dhe futbollisti do të jetë në dispozicion të Piolit për sfidën e të enjtes.

Mbrojtësi brazilian rezulton i prekur nga koronavirusi që prej 23 shtatorit dhe për t’u shëruar iu deshën afërsisht një muaj, ndërsa tani te kuqezinjtë ka mbetur në karantinë vetëm mbrojtësi i ri Matteo Gabbia, që vështirë se mund të kthehet edhe për ndeshjet e fundjavës.

Mbrojtësi 24-vjeçar Leo Duarte iu bashkua Milanit verën e kaluar, pasi kuqezinjtë paguan 10 milionë euro në arkat e Flamengos, ndërsa këtë sezon ka mundur të luajë vetëm 20 minuta.

Kujtojmë se më herët ishter sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç ai që fitoi betejën me Covid-19 dhe duke qenë njeriu i ndeshjes në fitoren në derbi kundër Inter.