Kombëtarja/ Duka nga Universiteti i Sporteve: Objektivi? Europiani 2024

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku zhvilluan sot një takim me Rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës, Agron Kasa.

Gjatë këtij takimi Presidenti Duka diskutoi me Rektorin Kasa për fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve për t’i shërbyer sa më mirë edukimit sportiv dhe profesioneve që i shërbejnë futbollit.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh i hapur për të dhënë eksperiencën e Federatës përmes ekspertëve të saj në të mirë të futbollit dhe sportit, ndërkohë që në takim u fol edhe për mundësinë e krijimit të programeve mësimore për të përgatitur specialistë në fushën e përgatitjes fizike, videoanalistit apo specialistë të tjerë që i duhen skuadrave dhe futbollit modern sot.

Komentet për Kombëtaren “Trajneri do të vazhdojë të përgatisë dy ndeshjet e ardhshme, maksimalisht për të marrë 6 pikë. Pa dyshim që nuk mund të jemi të lumtur me pikët e marra në ndeshjet e para, por nuk mund t’i quaj paraqitje absolutisht negative. Dy ndeshjet në transfertë, në Kazakistan dhe Lituani kanë qenë ndeshje të luajtura më mirë se ajo e Lituanisë. Nuk janë të lehta, por ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që sot steka e Shqipërisë është lart dhe ne mërzitemi shumë kur barazojmë jashtë Shqipërie. Dikur lumturoheshim kur humbnim me ndonjë gol diferencë. Duke e parë me këtë lloj objektivi që kërkojmë akoma dhe më shumë dhe meritojmë akoma më shumë për kaq punë sa kemi bërë, në dy ndeshjet e radhës në nëntor ne duhet të sigurojmë vendin e parë.

Lojtarët e rinj? "Shumë mirë që janë afruar për të luajtur, sepse Nations League është kompeticioni më i mundshëm ku mund t’i provosh lojtarët e rinj. Tani dihet që ndeshjet miqësore janë shumë pak kështu që Nations League është aktiviteti më i mundshëm ku mund të aktivizohen. Dhe jo vetëm strategjikisht por edhe për arsye të rrethanave, në dy ndeshjet e fundit ishin vërtetë 10 ose më shumë se 10 lojtarë për herë të parë në ekip kombëtar. Të gjithë më kanë pëlqyer dhe mendoj që janë e ardhmja e Shqipërisë. Janë pikërisht ato që do ta dërgojnë Shqipërinë ose do të luajën me kombëtaren shqiptare me objektivin për të qenë në 2024 në Europian”.