“Afera ÇEZ-DIA”, gjykata pushon çështjen ndaj biznesmenit Kastriot Ismailaj për mungesë provash
Gjykata e Apelit në Tiranë ka marrë vendim të pushojë përfundimisht çështjen ndaj biznesmenit Kastriot Ismailaj, i akuzuar për skandalin CEZ-DIA me mbledhjen e borxheve të prapambetura të energjisë elektrike.
Pushimi i çështjes është bërë pas kërkesës së prokurorisë, e cila konfirmoi se nuk kishte gjetur elementë të veprës penale që i ishte ngarkuar Ismailajt.
Prokurori Sajmir Hysi pretendoi se kanë kaluar afatet e parashtrimit të ndjekjes penale dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të faktuar akuzën.
Në dhjetor të vitit 2019, Shkalla e Parë e Gjykatës së Tiranës vendosi rikthimin e dosjes hetimore, duke kërkuar plotësimin e saj.
Gjykata kërkonte që Ismailaj të hetohet edhe për 3 akuza të tjera si “Mashtrim me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim”, “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Prokurorisë iu kërkua të merrte në pyetje përfaqësues të KESH që kanë marrë pjesë në mbledhjet për përcaktimin e çmimit të energjisë në vitin 2010.
Pavarësisht këtyre kërkesave, ishte vetë akuza e cila kërkoi në Apel pushimin e çështjes me pretendimin se nuk ka asnjë provë në lidhje me implikimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj.
Akuza pretendoi fillimisht se Ismailaj arriti të përfitojë 5 milion euro nga CEZ nëpërmjet skemës se mbledhjes e detyrimeve të prapambetura.
Kastriot Ismailaj është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 11 vite heqje lirie lidhur me skandalin CEZ-DIA, nga 15 që kishte kërkuar fillimisht prokuroria.
