Kapen 116 emigrantë brenda një dite, prangosën "taksistët" që u premtuan BE

Plot 116 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta janë kapur nga policia në 24 orët e fundit teksa po transportoheshin me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Ata janë konstatuar në Korçë, Elbasan dhe Kukës.

Në prangat e policisë së Korçës kanë rënë 4 shtetas, dy prej tyre vëllezërit Amarildo (drejtues të kamionit) dhe Endri Rrushi, si dhe Renard Biçaku e Urim Bajrami.

Ata u konstatuan në afërsi të fshatit Leminot në Maliq të Korçës duke transportuar 78 klandestinë nga Siria, Afganistani, dhe Maroku.

Dy vëllezërit akuzohet se kishin rolin e transportuesve, ndërsa dy të ndaluarit e tjerë vëzhgonin rrugën.

Ndërkohë në Elbasan u kapën dhe 13 emigrantë të tjerë, të cilët po transportoheshin nga një 20-vjeçar.

I riu u konstatua në fshati Mengël, ndërsa sapo ka pikasur policinë ka tentuar të arratiset, duke braktisur dhe mjetin me të huajt, por është kapur nga shërbimet e policisë.

Rasti tjetër u identifikua në qytetin e Kukësit, ku një 37-vjaçar u arrestua pasi po transportonte 25 emigrantë të parregullt sirian.

Situata me emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në mënyrë ilegale nga vendet e treta vijon të jetë problematike.

Prej fillimit të vitit janë kapur në rrugët e vendit 8500 shtetas të huaj që kërkojnë të përdorin Shqipërinë si vend transit për të kaluar drejt vendeve të BE-së. Rreth 2500 prej tyre kanë kërkuar statusin e azilantit, teksa autoritetet kanë marrë në shqyrtim vetëm gjysmën e tyre.

Policia ka konstatuar se përgjatë muajve të fundit çmimi i transportit të emigrantëve drejt kufirit është rritur nga 100 euro në 500 euro për person.