Rinas, 27-vjeçarja iraniane kapet me pasaportë false, shqiptari me 30 mijë paund në valixhe
Një 27-vjeçare iraniane ra në prangat e policisë në Rinas pasi tentoi të udhëtojë me pasaportë false.
Siç bën me dije policia, T. N., 27 vjeçe u kap në dalje të PKK Rinas pasi ka tentuar të udhëtojë me një pasaportë me gjeneralitetet e një shtetaseje norvegjeze.
Nga kontrolli i është gjendur edhe një karte identiteti dhe leje drejtimi mjeti në emër të shtetases norvegjeze.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave" dhe "Falsifikimi i dokumentave.
Po në vijim të kontrolleve intensive, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në hyrje të RSH-së, kanë ushtruar kontroll ndaj pasagjerëve të linjës ajrore me itinenar lëvizjeje Luton-Rinas dhe konkretisht ndaj shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar, 39-vjeçarit iu gjetën në valixhen e tij të dorës dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30000 paund.
Në përfundim të veprimeve të para, nga ana e seksionit të ZMP-së u procedua penalisht shtetasi Sh. Sh., për veprën penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.