Feronikeli prezanton Duron, trajneri firmos kontratë 2-vjeçare me klubin kosovar
Klodian Duro është trajneri i ri i Feronikelit. Kjo do të jetë eksperienca e parë për ish-futbollistin e kombëtares jashtë Shqipërisë. Duro ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me klubin nga Drenasi.
Klodian Duro rikthehet në pankinë. Feronikeli është stacioni i radhës për teknikun kryeqytetas që ka vendosur të provojë një aventure jashtë Shqipërisë, e cila do të jetë e para për të si teknik.
Ish-mesfushori i kombëtares shqiptar ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me klubin nga Drenasi.
“FC Feronikeli ka caktuar nga sot (e martë) Klodian Duro, si kryetrajner të ri të klubit. Duro vjen si pasardhës i Afrim Tovërlanit, duke nënshkruar për dy vitet e ardhshme me FC Feronikelin.
Klodian Duro, ish-futbollist i Kombëtares Kuq e Zi, duke fituar si futbollist, 4 herë Kampionatin e Shqipërisë, 3 herë Kupën dhe Supërkupën Shqiptare dhe 1 herë Kupën Qipriote. Profesionin e trajnerit e filloi menjëherë pas pensionimit nga futbolli aktiv, duke marrë drejtimin e Kukësit, klub me të cilin arriti ta fitonte Kupën e Shqipërisë në sezonin e tij të parë.
Duro ka drejtuar edhe skuadrat si Kamza e Luftëtari, e nga sot merr drejtimin e Feronikelit.Skuadra momentalisht gjendet në pushim pas pauzës së rezervuar për kombëtare, ndërsa trajneri i ri do të takohet me futbollistët gjatë ditës së nesërme. Si futbollist, me Kombëtaren Kuq e Zi, ka zhvilluar gjithsej 78 ndeshje, duke realizuar 6 gola”, thuhet në njoftimin e Feronikelit në faqen zyrtare.