Meta: Rajoni ka një armik, shpopullimin. Situata në Shqipëri kritike për shkak të qeverisjes së mbrapshtë

Përmes një postimi në Facebook, presidenti Meta shkruan se rajoni ka një armik të përbashkët që është shpopullimi.

Meta thekson se në rastin e Shqipërisë, ky është një problem akoma më kritik për shkak të qeverisjes së mbrapshtë.

Meta: Të gjitha vendet e rajonit tonë kanë një armik të përbashkët: Shpopullimin, veçanërisht largimin masiv të të rinjve. Në rastin e Shqipërisë, situata është edhe më kritike se kudo tjetër, për shkak të një qeverisjeje të mbrapsht që nuk respekton liritë, të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, ka shkallmuar shtetin e së drejtës, refuzon sundimin e ligjit, dhunon brutalisht demokracinë dhe provokon rëndë paqen sociale.

Të gjitha vendet në rajon, veçanërisht Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, e duan integrimin evropian, që nuk duhet të jetë thjesht retorikë për të marrë financime nga Komisioni Evropian dhe institucionet e BE-së, por që në radhë të parë kërkon reforma të guximshme, të shpejta dhe të prekshme, që rikthejnë shpresën tek të rinjtë dhe garantojnë të ardhmen e sigurt evropiane të vendeve tona.