"Shok" me trafikantët, polici vihet në pranga, dekonspiroi operacionin anti-kanabis në Zall-Bastar
Një punonjës policie dhe 9 persona të tjerë janë zbuluar se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për kultivimin e bimëve narkotike. Efektivi i policisë lajmëronte kultivuesit sa herë kishte operacion në zonën e Zall Bastarit. Deri më tani 6 prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa 3 të tjerë ndodhen në kërkim dhe një i proceduar në gjendje të lirë.
Policia e Tiranës ka identifikuar 10 persona të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Mner i Sipërm të Zall Bastarit kanë kultivuar bimë narkotike.
Pjesë e grupit të kultivimit të bimëve narkotike ishte dhe një punonjës policie, me detyre specialist i policimit në zonën.
Sipas policisë së Tiranës, Emri Demalia ka bashkëpunuar me trafikantët duke dekonspiruar operacionet policore.
Për punonjësin e policisë, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe 3 të tjerë, gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg".
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Zall Bastari”, janë arrestuar në flagrancë 2 persona të tjerë, janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtor të tyre si dhe është proceduar penalisht një tjetër person.
Ky i fundit akuzohet për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, pasi ka ndihmuar për ikjen e njërit prej autorëve, gjatë kohës që forcat e Policisë po punonin për kapjen e tij.
Operacionet e policisë për asgjësimin e bimëve narkotike janë kryer në faza të ndryshme nga komisariati nr.4, ndërsa mësohet se janë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale dy armë gjahu dhe sende të tjera të kundraligjshme.