Veliaj nuk ndalet, SPAK heton Teatrin, Bashkia miraton fituesin
Kompania e cila ofroi çmimin më të lartë në studim-projektimin e Teatrit Kombëtar është shpallur edhe fituese. Sipas dokumenteve vendimtare, kanë qenë kriteret shtesë të paraqitura, përcaktuese për kualifikimin në garë. Tashmë edhe SPAK ka nisur hetimin për shembjen e godinës.
SPAK prej një jave ka nisur hetimin për shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe marrjen në pyetje të protagonistëve të aleancës së teatrit, por më tej edhe të zyrtarëve të Bashkisë.
Megjithë nisjen e këtij procesi, nuk është marrë asnjë masë për pezullimin e tenderit për projektimin e ndërtesës së re.
Madje sipas të dhënave të publikuara, në APP është shpallur dhe kompania që do kryejë studimin.
Në tenderin me fond limit 60 milionë e 317 mijë lekë të reja pa TVSH, kanë marrë pjesë 2 bashkime operatorësh dhe fitues është shpallur ‘A&E Enginnering’ shpk dhe ‘FM Ingengeria SPA’.
Rezulton se oferta e paraqitur nga fituesi është 60 milionë e 300 mijë lekë, pra me një diferencë prej vetëm 17 mijë lekësh nga fondi limit, por pavarësisht kësaj ka marrë vlerësim më të lartë pikësh.
Ndërkohë që bashkimi i operatorëve të tjerë në garë ka ofertuar me 55 milionë e 635 mijë lekë, por është vlerësuar me më pak pikë, kjo me argumentin e kritereve të tjera.
Pas këtij vendimi “Gjeokonsult & Co” sh.p.k. & “Archispace” sh.p.k ka dorëzuar ankim pranë Bashkisë Tiranë, me anë të të cilit kundërshton vendimin lidhur me vlerësimin me pikë të ofertës së tij teknike, si dhe kërkon vënien në dispozicion të procesverbalit.
Por kjo është refuzuar me argumentin se është paraqitur jashtë afateve ligjore.
Kompanitë i janë drejtuar KPP-së, por sërish është përdorur mosrespektimi i afateve ligjore.
Në këto kushte, KPP ka lejuar Bashkinë e Tiranës të vijojë me procedurat e mëtejshme, duke i hapur rrugë dhe ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar.