Padrejtësi online? Tani mund të ankoheni tek Aleanca për Median Etike

Këshilli i Medias ka ngritur një bord ankesash, përmes të cilit kushdo qytetar mund të adresojë atë që quhet e padrejtë ose shpifje në portale.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, Koloreto Cukali, Kryetar i Këshillit për Median në Shqipëri shprehet se Aleanca për Median Etike do t'i japë mundësi çdo qytetari që të ankohet nëse ka një problem në çfarëdo lloj produkti mediatik në mediat e kësaj Aleance.

"Këshilli, që është një grup gazetarësh, ka iniciuar këtë iniciativë ku bëjnë pjesë shumë media, rreth 20, ndër të cilat bën pjesë edhe Ora News. Pra, Alenca për Median Etike është më e madhe sesa Këshilli i Medias. Ky grup mediash do t'i japë mundësi publikut që të ankohet, nëse ka një problem në një artikull, në një shkrim, në çfarëdo lloj produkti mediatik në mediat e Aleancës tonë"

Cukali tregon se si do të bëjnë ankesën qytetarët dhe si do të procedohet më tej me këto ankesa.

"Ankesat bëhen nga qytetarët. Brenda pak ditësh në mediat e Alencës, ku publiku, nëse sheh diçka që nuk i pëlqen klikon tek butoni dhe e dërgon tek një faqe ankesash, ku publiku shkruan ankesën e cila na vjen menjëherë ne dhe ne e fusim në administrim dhe më pas ankesën ia paraqesim Bordit të Etikës. Kudo që të shikojnë logon e Alencës, qytetarët mund të ankohen me një klikim të vetëm, pastaj nëse ka të drejtë qytetari apo jo këtë e vendos bordi. Aleanca për Median Etike i jep për herë të parë mundësinë publikut të ankohet drejpërdrejtë, brenda pak ditësh do të realizohet edhe teknikisht"

Cukali shprehet se kjo është një iniciativë në shërbim të komunitetit, e cila është jashtë kuadrit ligjor.

"Kjo është një iniciativë jashtë kuadrit ligjior ekzistues, kjo është një proces dhe një procedurë që kryhet nga vetë nga vetë komuniteti"

Mediat që janë pjesë e kësaj Aleance do të zbatojnë me përpikmëri vendimet e bordit.

"Mediat e pranishme kanë rënë dakort që të zbatohen vendimet e bordit dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe shumë e madhe, pra vendimet e bordit do t'i kalojnë medias, e cila do të korigjojë nëse ka diçka në artikull, për të kërkuar falje apo për të hequr artikullin, pra nëse ka një shkelje të kësaj natyre, bordi e verifikon, ia përcjell medias dhe media e zbaton"