Kapet duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm, në pranga 36 vjeçari, dy të tjerë në kërkim

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Maliq goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Sipas njoftimit të policisë shtetasi  E. M., 36 vjeç banues në Durrës  u kap në flagrancë  duke transportuar 11 emigrantë të paligshëm. Shtetasit R. I., 29 vjeç dhe A. D., 27 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Durrës u shpallën në kërkim nga policia.

Shtetasi E. M., është kapur nga shërbimet e Policisë në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, duke transportuar me mjetin tip "Ford" 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy shtetasit e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 36-vjeçarit.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim".