Ulje takash e rritje rrogash? Crawford: Është e mundur, bankat kanë para por nuk qarkullojnë në ekonomi
Masat kufizuese përgjatë tremujorit të dytë kanë sjellë pasoja fatale për ekonominë e vendit e cila raportohet në rënie me 10.23% krahasuar me një vit më parë.
Por, teksa pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, partitë politike kanë premtuar ulje taksash dhe rritje të pagave.
Për kryetarin e nderit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford kjo është e mundur, pasi bankat janë plot me para.
I ftuar në ''RTV Ora'', Crawford tha se ka mungesë të qarkullimit të parave në ekonomi.
Mark Crawford: ''Unë e di që paratë nuk mungojnë, bankat janë plot me para. Nuk është mungesë parash, por mungesë qarkullimi parash. Është mungesë ideje dhe stimulimi që këto para të qarkullojnë në treg. Nëse keni më shumë ndërmjetësues, këtë nevojë ka ekonomia, për të qarkulluar paratë. Duhet të ketë ide dhe ndërmjetësues, sepse bankat kanë para, por nuk janë të përshtatshme për çdo qarkullim që bëhet në ekonomi.''

Crawford është për një taksë zero për biznesin e vogël.
Sipas tij, është e vështirë të mbyllësh një biznes në Shqipëri.
Mark Crawford: ''Unë jam për taksë zero. As taksa e sheshtë, dhe as progresive nuk janë keq, por duhet të përputhet me situatën dhe kulturën këtu. Për biznesin e vogël duhet të ketë taksë zero. TVSH është më e madhja në Shqipëri, dhe duhet fokusuar në uljen e taksave personale dhe për biznesin e vogël. Këtu është shumë vështirë për të mbyllur biznes, do shumë kohë. Kjo duhet ndryshuar.''
Intervistoi në studio Besmira Pelushaj, përgatiti për online Renato Çaushi.