Kryeministrja australiane goditet me sanduiç

Dikur, kur kryeministrat e ndonjë vendi vizitonin shkolla apo institucione, u hidheshin lule. Sot lulet janë zëvendësuar me objekte të tjera, që nga statujat (incidenti me ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni, i cili u godit me një statujë në hundë në vitin 2010) e deri te ushqimet.Kryeministrja australiane, Xhulia Gillard, është goditur me një sanduiç për herë të dytë brenda muajit, me ndryshimin e vetëm se kësaj radhe goditja ishte në shenjë. Sanduiçi e goditi në krahë Gillardin kur ajo vizitoi një shkollë në Kanberra. Por, ajo qeshi më pas me incidentin, duke komentuar se “fëmija që e hodhi sanduiçin duhet të ketë menduar se unë isha e uritur”.Një tjetër rast i ngjashëm ndodhi në fillim të këtij muaji në Kuinslend. Incidenti ka përfshirë gjerësisht mediat dhe rrjetet sociale, jo për faktin se u godit Kryeministrja, por për përmbajtjen e sanduiçit.Kritikët shkruanin në rrjetet sociale, por kanë komentuar edhe në emisione të ndryshme, se përse prindërit përgatisin për fëmijët sanduiçë aq të paushqyeshëm. Truprojat e Gillard dhe fotografët e rrethuan menjëherë “raketën” e bukës kur ajo u përhap në krahun e Kryeministres gjatë vizitës së saj në shkollën e mesme “Lyneham”. Nxënësi që e hodhi sanduiçin nuk është identifikuar ende. Kryeministrja fillimisht nuk kishte reaguar, por më pas kishte bërë shaka me incidentin.Ndërsa ministrja Keti Gallager, tha se shkollat janë plot me fëmijë dhe fëmijët ndonjëherë bëjnë budallallëqe.