Demaliaj mbron tezën e Lubonjës: Kadare, modeli i kulturës së 'simulim-manipulimit'

Në një lidhje direkte me Skype nga SHBA për edicionin e lajmeve në RTV Ora, analisti Ilir Demaliaj ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket situatës me Covid-19 në vendin ku ai jeton, por nuk ka lënë pas edhe komentin mbi debatin e ngritur nga Fatos Lubonja lidhur me atë që ai e quan “kultura e simulim-manipulimit”.

“Situata e Covidit në Amerikë paraqitet më e kontrolluar., por kjo nuk do të thotë se Covidi është larguar. Në shtete ku kanë qenë të pakujdesshëm, ku ka patur mitingje sidomos, aty ku janë hapur kolegjet, ka patur raste të shtuara”, tha ndër të tjera Demaliaj.

Më pas, analisti, teksa foli mbi tezën e Lubonjës, nuk kurseu sulmet ndaj shkrimtarit Ismail Kadare duke e quajtur modelin e “kulturës së simulim-manipulimit”.

“Lubonja ka plotësisht të drejtë dhe këtu nuk është problemi se po sulmohet Ismail Kadare. Kadareja është modeli i kësaj kulture, sidomos në elitën intelektuale të regjimit komunist që është vazhdimësi edhe sot. Kadareja është pikërisht modeli. Pse them që është Kadareja? Kadareja është manipulatori më i madh lidhur me shërbimet ndaj regjimit. Nuk po diskutojmë a ka apo nuk ka talent Kadareja. Kadareja ka manipuluar sepse një shkrimtar i madh, që është pretendent për çmimin Nobel, që merr para nga shteti i tij”, u shpreh mes të tjerash Ilir Demaliaj.