Osmani: Marrëveshja me Serbinë nuk i solli Kosovës ato që u premtuan

Kryetarja e Kuvendit të Kosoves, Vjosa Osmani, tha se me marrëveshjen e firmosur në Uashington, delegacioni i Kosovës, nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit prej një kohë të gjatë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani numëroi çështjet si, arritja e njohjes së ndërsjellë me Serbinë, mosnegociimin e Liqenit të Ujmanit, mospranimin e Mini-Schengenit, të pagjeturit, si dhe pika të tjera.

Nga ana tjetër, Osmani ka mirëpritur njohjen nga Izraeli duke e konsideruar si një nga njohjet më të rëndësishme për Kosovën.

Postimi i Osmanit në Facebook

Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës.

Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë:
- Njohjen e ndërsjellë me Serbinë
- Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani)
- Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi)
- Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)
- Rezultate konkrete për të pagjeturit
- Dëmshpërblim për reparacionet e luftës
- Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë
- Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës.

Lexo edhe: Ora News zbardh marrëveshjen, Kosova pjesë e minishengenit, Serbia ndalon për një vit fushatën për çnjohjet

Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Washington, firmos edhe Trump