Efekti Rama-Thaçi në perceptimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi të Uashingtonit
Pas debatit tre-katër vjeçar dhe luftës së ashpër kundër treshes Rama-Vuçiç-Thaçi për realizimin e një marrëveshje me Serbinë me shkëmbim territoresh, marrëveshja e së premtes në Uashington duket si “mrekulli”! Shqiptarët u vunë qëllimisht në ankth disa vjeçar, që sot në Uashington të nënshkruhet një marrëveshje, e cila nuk krijon garanci dhe siguri për të ardhmen e shtetit më të ri në Europë, por shton pikëpyetjet dhe skepticizmin për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e të rajonit në përgjithësi.
E megjithatë pranohet nga aktorët politikë në Kosovë, në Shqipëri e gjetkë. Për ta qetësuar kryeministrin shqiptar, duhet thënë se marrëveshja në fjalë nuk përbën akt tradhtie, siç do të ishte marrëveshja e Ramës dhe e Vuçiçit. Por është marrëveshje që i jep Serbisë gjithçka dhe Kosovës pakgjë.
Marrëveshja e publikuar përmban garanci se Serbia do të bëhet hisetare në Kosovë dhe nuk e predikon shtetin e Kosovës si realitet praktik. Presidenti Trump përmendi faktin se SHBA-të realizuan marrëveshje të ndara me Serbinë dhe Kosovën dhe kjo le të kuptohet se ai e njeh shtetësinë e kësaj të fundit. Por në marrëveshje nuk ka diçka të tillë. Në veçanti e mjegullt është pika e marrëveshjes për Ujmanin dhe goditje i jep shtetësisë me heqjen e mundësisë për një vit që Kosova të kërkojë të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare.
Por jo pak problematike është dhe pika që ka të bëjë me zbatimin e ligjit për Kishën Ortodokse në Kosovë, ku parashihet një status special. Ndonëse përmenden besimet fetare, në atë pikë shihet qartë se synohet që Patriarkanës serbe t’i jepen të drejta specifike, ndoshta deri te pamundësia që mbi të të veprojë ligji dhe drejtësia e Kosovës.
Marrëveshja e nënshkruar nga Abdullah Hoti është shumë më e mirë sesa harta e Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç e paraqitur në samitin e Berlinit më 29 prill të vitit 2019. Por frika nga hartat thjesht na bënë që të besojmë për diçka pozitive për Kosovën. Ndërkohë që pozitiviteti lidhet me Serbinë. Gjithçka e parashikuar në atë marrëveshje favorizon Beogradin. Serbia ka të drejtë të ketë portin e vet, “në thellësi të Adriatikut”. Bëhet fjalë për Shëngjinin shqiptar dhe kjo do të kërkojë një marrëveshje favorizuese midis Beogradit dhe Tiranës.
Nëse do të jetë Rama në pushtet, do të lutet që ta firmosë sa më shpejt një marrëveshje të tillë. Por nuk besoj se ka këllqe edhe opozita për të kundërshtuar! Serbia, sipas marrëveshjes, ka të drejtë të lidhet me Adriatikun përmes hekurudhës dhe autostradës. Serbisë i është shtruar autostrada me flori, ndërkohë që jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria do të humbasin diçka nga sovraniteti i tyre për të respektuar të llastuarin e rajonit, Serbinë, e cila bëri krime të pashembullta para dy dekadave në Kosovë.
Rikthehet gjithashtu Minishengeni midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës. Kosova e pranoi këtë pa asnjë kundërshti, pa u përpjekur së paku të lëshojë ndonjë argument kundër këtij versioni. Abdullah Hoti e kishte shumë të lehtë të vinte ndonjë kusht të tijin pas kushtit që vuri presidenti serb në takimin e së enjtes në Shtëpinë e Bardhë, për të mos u përmend në draft njohja reciproke e dy shteteve. Por nuk e bëri këtë. Minishengeni do të garantojë zhvillimin e Serbisë, ndërkohë që Kosova dhe Shqipëria do të sakrifikojnë për zhvillimin e saj.
Duke analizuar këtë marrëveshje, ku flitet edhe për homoseksualët, më erdhi ndër mend një fakt:
Më 28 qershor të vitit 1914 serbët vranë Princin e Austro-Hungarisë, Franz Ferdinand dhe gruan e tij, Sofinë, duke ndezur flakët e Luftës së Dytë Botërore. Nga ajo luftë u shkaktuan 10-20 milion viktima. E megjithatë Serbia në përfundim të asaj lufte u shpërblye me Vojvodinën hungareze, sepse Hungarinë e konsideruan si humbëse. Eshtë interesant se historia përsëritet thuajse në të njëjtën mënyrë.
Pas katër luftrave dhe masakrave të tmerrshme të Serbisë kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve e të tjerëve në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, Serbia përsëri del e fituar në territore dhe privilegje në Ballkan. Madje pa dhënë as njohjen e Kosovës në këmbim të këtyre privilegjeve. Në vend të njohjes së Kosovës ajo premtoi hapjen e ambasadës së saj deri në korrikun e ardhshëm në Jeruzalem.
Serbët ishin përgatitur për të shkuar në takimin e Uashingtonit. Ata kishin bërë një marrëveshje paraprake për të çuar ambasadën e tyre në Jeruzalem dhe në këmbim të kësaj të përfitonin në Kosovë. Ndërsa delegacioni i Kosovës shkoi në Uashington me naivitetin e mitit të miqësisë me SHBA-të. “Ani, s’ka gjë, a e thotë Amerika?! Asht mirë”! thonë në Prishtinë dhe harrojnë se Serbia luan shumë më fort me diplomacinë e saj edhe në Uashington.
E megjithatë, kjo marrëveshje e kundërshtuar fillimisht nga Haradinaj dhe e duartrokitur pak orë më vonë po prej Ramushit, është dhe mbetet një marrëveshje që favorizon Serbinë, pa i kërkuar asaj asgjë në këmbim të këtyre favoreve. Kjo është e vërteta! Kush do që ta shohë, mirë, kush nuk do, është i lirë të mendojë si të dojë ai. E vetmja gjë e mirë prej kësaj ishte premtimi i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Izraelit, me kusht që edhe Kosova ambasadën e saj ta ngrejë në Jeruzalem. Por edhe ky sukses sikur u zbeh, kur u tha se “Izraeli do të njohë një vend mysliman”!
Ishte pikërisht ajo që do të donte të dëgjonte me veshët e tij Aleksandër Vuçiç! Pavarësisht të gjithave ndjesia e krijuar nuk është e njëjtë sikur ndjesia që do krijohej nga projekti Rama-Thaçi- Vuçiç e Haxhiu për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Të paktën hartat nuk u vunë në tavolinën e bisedimeve!