Ministri serb i Mbrojtjes: Bisedimet me Kosovën në Uashington, shumë të vështira

Bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, do të jenë shumë të vështira, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vullin në programin e mëngjesit të Televizionit "Pink".

Takimi ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është paraparë të mbahet në Uashington më 4 shtator.

"Çdo takim është jashtëzakonisht i vështirë, nuk ka asnjëherë diçka të këndshme, ju bisedoni me njerëzit për të cilët e dini se sinqerisht e urrejnë popullin tuaj dhe vendin tuaj dhe që kanë vetëm një interes, dhe kjo është që t'ju dëmtojnë disi. Por, ju duhet të flisni", tha Vullin.

Siç theksoi ai, fuqitë e mëdha gjithmonë kanë agjendën e tyre dhe nuk i kushtojnë shumë vëmendje "asaj që ne të vegjlit mendojmë, se a na lëndon diçka apo na bën të lumtur".

Më 4 shtator, ndërkaq, Hoti dhe Vuçiç pritet të takohen në Uashington, me ftesë të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brein./REL/