Hoti: Takimi i së enjtes në Bruksel, për çështje të bashkëpunimit ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se në takimin e së enjtes në Bruksel, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të diskutojnë për çështjet e bashkëpunimit ekonomik.
Hoti i bëri komentet pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Ai tha se ekziston një pajtim i përgjithshëm edhe me partnerët e koalicionit brenda qeverisë, që Kosova e zhvillon dialogun për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Nesër diskutimet që bëhen në Bruksel, janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke. (Ato) adresuan në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve. Nesër, do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve”, tha Hoti.
Të enjten (27 gusht), në Bruksel do të zhvillohet takimi në nivel të ekspertëve, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimin Evropian./REL/