Gjykata e Posaçme e Apelit urdhëron SPAK të regjistrojë kallëzimin e bërë kundër Fatmir Xhafajt dhe Ardi Veliut

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëron SPAK-un të regjistrojë kallëzimin e bërë nga ish-gjyqtari i Apelit, Alaudin Malaj kundër ish ministrit, Fatmir Xhafajt dhe drejtorit të policisë Ardi Veliut dhe disa persona të tjerë. Gjykata kërkon dhe fillimin e hetimeve nga SPAK.

Në tetor të 2019 Malaj paditi ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vëllanë e tij Geronin, kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe zyrtarë të tjerë të policisë, për “grup të strukturuar kriminal”. Ai deklaronte se ndihej i kërcënuar familjarisht dhe kërkonte mbrojtje. Kallëzimi i Malajt u depozitua në prokurorinë e krimeve të Rënda.

Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi në nëntor 2019 mosfillimin e procedimit penal

Vendimi për “mosfillim procedimi penal” u la i pandryshuar nga Gjykata e Posaçme në janar 2020, por vendimi u ankimua nga ish-gjyqtari në Apel.

Ish gjyqtari Alaudin Malaj reagoi pas ngjarjes me të shtëna me armë zjarri që u raportua se ndodhi në zonën e Lungo Mares në Vlorë. Sipas tij akuzat e policisë ndaj 19 vjeçarit Daniel Zotaj me lidhje familjare me Malaj janë ngritur qëllimisht. Malaj ndër të tjera deklaroi se në vitin 2015 vëllai i tij ishte kërcënuar me jetë nga një vrasës me pagesë por ky denoncim nuk ishte hetuar asnjëherë.