Vetingu shkarkon gjyqtarin Aleks Nikolli, një nga gjyqtarët që i uli dënimin Dritan Dajtit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra, 10 gusht, gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Shkodër, Aleks Nikolli.
Shkarkimi i Nikollit u bë pasi sipas KPK-së u konstatua mungesë burimesh të ligjshme dhe ka dyshime për veprime fiktive nga ana e gjyqtarit.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Aleksi rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2.
Relatori Komici tha se shtëpia është ndërtuar me leje ndërtimore në vitet 2003-2004, në një tokë me sipërfaqe 1000 m2 të blerë në vitin 2001, ku më parë gjendej një shtëpi e vjetër që është shembur.
Në preventiv vlera e ndërtimit përcaktohet nëshumën 9.7 milionë lekë dhe të gjitha veprimet rezulton të jenë kryer ngagjyqtari Aleks Nikolli, i cili fillimisht ka rezultuar si pronar i gjithëobjektit dhe tokës.
Nikolli në 2019, u vu nën hetim për korrupsion nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit- i dënuar për vrasjen e 4 policëve.
Procesi për Nikollin u mbyll vetëm me kriterin e pasurisë. Ai kërkoi dorëzimin e provave të reja dhe riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës, por që u kundërshtuan nga KPK.
Nikolli është diplomuar për drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe nga viti 2001 deri në vitin 2004 ai ka mbaruar studimet në shkollën e Magjistraturës. Nga viti 2004 deri në vitin 2016 ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe nga viti 2016 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.