Të rinjtë e PD përballë të vjetërve, mbi 5 mijë kandidatë do të kalojnë në sitën e Komisionit të Vlerësimit

Më shumë se 5 mijë emra kanë propozuar degët e PD në garën e parë për kandidat për deputet. Një pjesë e madhe mësohet se janë emra krejtësisht të rinj për politikën, të cilët pas komisionit të vlerësimit do të përballen me votimin një anëtar një votë

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve i ngritur pranë Partisë Demokratike ka në tryezë një punë voluminoze, e cila duhet të përmbyllet deri me 15 shtator.

Janë më shumë se 5 mijë emra që duhet të kalojnë në filtër, mes tyre dhe shumë figura të reja të cilat vijnë si propozime nga degët, por që nuk kanë mbajtur më herët pozicione politike në selinë blu.

Tirana si qarku me i madh ka dhe një numër të lartë propozimesh, këtu emrat më të kërkuar në grup seksione janë zëra të fortë opozitarë si ish-deputetja Jorida Tabaku, ish deputetja Oriola Pampuri apo Grida Duma.

Gjthashtu emra të propozuar më së shumti janë Halim Kosova, Belind Këlliçi, apo i Flamur Hoxha, pa lënë mënjanë edhe emra të figurave të tjera politike të Partisë Demokratike.

Në Tiranë ka pasur propozime dhe për emra jashtë poltikës, si ai i shkrimtares Flutura Açka, studiesit Aurel Plasari apo futbollistit të Tiranës, Gentian Muça.

Edhe në Durrës krahas emrave të figurave të njohura politike te cilët janë propozuar thuajse në çdo seksion, ka  pasur propozime për ish-figura të njohura në këtë forcë politike apo për emra jashtë saj.

Në disa grup seksione është propozuar ish-ministri Gazmend Oketa, publicisti Agim Baçi, apo futbollisti Andi Lila.

Edhe shefi i kabinetit të Lulzim Bashës, eksperti i ekonomisë Dorian Teliti është propozuar në Durrës, por dhe në qarqe të tjera. 

Në Fier më i kërkuari nga anëtarët mbetet emri i ish-deputetit Enkelejd Alibeaj dhe ai i Luan Baçit, ndërsa emër i ri është ai i mjekut dhe drejtuesit të departamentit të Shëndetësisë, Gazmend Koduzi. 

Demokratët e Shkodrës, një qark i madh, kanë sjellë në qendër më shumë se 100 emra. Kritikja e fortë e Bashës, ish-kryetarja e Kuvendit  Jozefina Topalli mbetet një nga emrat e fortë.

Gjithashtu mbështetje i është dhënë  ish-deputetit Helidon Bushati.

Por edhe emra të rinj si Blendi Gjylbegu apo nënkryetarja e përgjithshme e Forumit Rinor, Benardeta Syku. 

Në Elbasan krahas emrave fitues në listën e 2017, të  ish-deputetëve Edmond Spaho, Luçiano Boçi apo Endri Hasa, janë propozuar  emrat e mjekes Zheni Gjergji, analistit Fitim Zekthi, pedagogut të sporteve Edmond Biçoku, ndërsa Aurel Bylykbashi shihet si emër për të drejtuar Bashkinë.

Demokratët e Vlorës kanë rikthyer Bujar Leskajn, i cili muaj më parë la detyrën e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa në  grupseksionet ku pjesë ka anëtarë të komunitetit çam, propozoet ish-deputeti Dashamir Tahiri.  

Në Dibër ish-deputetja Dhurata Çupi dhe Kreshnik Çollaku kanë marrë një numër të lartë propozimesh, në Kukës janë propozuar sërish Flamur Noka dhe Isuf Çela.

Propozimet më të shumta në qarkun e Lezhës kanë qenë për ish-kreun e Bashkisë Fran Frrokaj. 

Demokratët e Gjirokastrës krahas ish-deputetëve të listës së vitit 2017,  kanë propozuar  ish-këshilltarin e presidentit Bujar Nishani, Ylli Asllani.

Në Korçë propozimet më së shumti janë fokusuar tek emrat e listës së 2017, ndërsa disa demokratë të Devollit kërkojnë rikthimin e Ridvan Bodes, i cili  aktualisht është anëtar i mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë.