"Dosja 339" Zbardhen përgjimet për votat në Shijak: Shpëtim Marku foli me Altin Avdylajn, votoi në emër të babait
Tri ditë pas arrestimit të 20 komisionerëve të zgjedhjeve të vitit 2017 zbardhet dosja e SPAK për manipulimin e votave në Shijak. Në faqen 25 të materialit të prokurorisë thuhet se qytetarët që votonin në emër të shtetasve që ishin jashtë shtetit kanë komunikuar me shtetasin Altin Avdylaj, i cili pohon në përgjime se ishte angazhuar me votimet në disa zona të Shijakut.
Prokuroria ka zbardhur detaje nga doaja hetimore për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 në Shijak ku rezulton se Altin Avdylaj ka biseduar në telefon me disa nga personat që kanë votuar në emër të shtetasve që ndodheshin jashtë shtetit.
Në faqen 24 të dosjes, evidentohet rasti i votimit në emër të shtetasit Xhemali Marku, i cili ndodhej jashtë shtetit në Itali ditën e zgjedhjeve dhe ka dëshmuar se nuk ka marrë pjesë në votim.
Në vend të tij është paraqitur në qendrën e votimit djali Shpëtim Markut, i cili është pyetur nga prokuroria dhe ka pohuar se votoi në emër të babait në qendrën e fshatit Shetel.
Njëri nga komisionerët i ka dhënë fletën e votimit ndërsa komisioni nuk i ka kërkuar dokument identifikimi.
Prokuroria shkruan në dosje së në datën 25 qershor 2017, Shpëtim Marku ka biseduar në telefon me Altin Avdylajn në lidhje me votimin në emër të babait.
Ai i thotë Avdylajt se e ka hedhur votën në emër të babait dhe shpreson se do të fitojnë në zgjedhje.
Në të njëjtën datë, në faqen 25 të dosjes, prokuroria evidenton përgjimin e Altin Avdylajt me një person tjetër ku flet për angazhimin e tij me zgjedhjet në disa zona të Shijakut.
Prokuroria ka marrë procesverbalet e qendrave të votimit por edhe listat e votuesve dhe pasi ka verifikuar personat në emër të të cilëve ishte votuar ndërkohë që ndodheshin jashtë shtetit, ka kontaktuar me 23 prej tyre.
Ata kanë pohuar se ndodheshin jashtë vendit ditën e zgjedhjeve dhe nuk kanë marrë pjesë në votime.