Akuzat e PD-së për Hajnaj, Yuri Kim: Disa shpresojnë që BKH nuk do të ngrihet, por ëndrra juaj nuk do bëhet realitet
Kontestimi nga Partia Demokratike i një prej katër kandidatëvepër drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka sjellë edhe reagimin eAmbasadores amerikane Yuri Kim.
Në një postim në twitter, pa ju referuar specifikisht PD, diplomatja amerikane shkruan:
"Duket sikur disa po ëndërrojnë që BKH nuk do të ngrihet kurrë, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Na vjen keq që po ju zgjojmë nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet kurrë realitet.Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara" shkruan Kim.
PD hodhi sot akuza kundrejt qeverisë në lidhje me zgjedhjen e kreut të BKH-së.
Nënkryetari i kësaj partie, Edi Paloka, tha fituesi është paracaktuar dhe sipas tij është Aida Hajna e cila është nën hetim penal për korrupsion me 10 mijë euro.
Paloka tha se Hajna ka mbrojtur trafikantin e drogës Naser Gashi dhe pezulloi nga detyra policin që denoncoi skandalin.
Ai shtoi se Hajna duhet të skualifikohet nga gara dhe gara të rihapet për policë të ndershëm.
Emri i përzgjedhur për drejtuesin e FBI-së shqiptare do të bëhet publik në fillim të javës që vjen dhe më pas drejtuesi i SPAK do t’ia përcjellë atë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të vendosur me votim për kandidatin e propozuar.
I gjithë procesi ka patur një rrugë të gjatë verifikimesh.
Listat e kandidatëve që aplikuan u filtruan disa herë për të mbërritur në fund me katër kandidatë, të cilët janë Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj, të katërt me formim policor.
Pasi të emërohet Drejtori i BKH, SPAK do të nisë procesin për përzgjedhjen e 60 hetuesve të kësaj strukture.