Lajçak: Takimi i rradhës Hoti-Vuçiç në fillim të shtatorit
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë në fillim të muajit shtator.
Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë bisedimeve që kanë pasur ditën e sotme (16 korrik) në Bruksel.
Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.
Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.
“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, tha Lajçak.
Kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç kanë thënë pas takimit se bisedimet për këto dy tema kanë qenë të vështira.
Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.
Vuçiç: Dialogu do të vazhdojë në nivelin teknik më 22 korrik