Përfundon takimi me Vuçiç, Hoti: Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë
Ka përfunduar në Bruksel takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Hoti tha se është shënuar progres në dialogun e zhvilluar me presidentin.
Hoti përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.
“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezantuar në këtë takim dhe nuk do të lëvizë asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti.
Sipas tij Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, dhe i gjithë procesi, sipas tij do të mbyllet për disa javë ose muaj, por jo më shumë.
Hoti thase është i angazhuar për të realizuar marrëvershjen.
“Mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, përfundoi kryeministri i Kosovës.
Ky është takimi i parë i drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, pas mëse 20 muajsh.
Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.
Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.