Pas 6 orësh përfundon intervistimi i Thaçit, vazhdon përsëri nesër

Për të tretën ditë me radhë, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, u intervistua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, Thaçi nuk u prononcua për media.

Intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe ditën e nesërme (16 korrik).

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 prill ka bërë një propozim-aktakuzë për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.