UKT përfundon investimin në zonën Kodër-Sharrës, Veliaj: Mos shpërdoroni ujin
Banorët e Kodër-Sharrës në Kombinat do të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm, pasi UKT ka investuar në 2 km tubacion për 150 familje të zonës. Gjatë inspektimeve të këtij investimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri thirrje qytetarëve të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm për shkak të vështirësive që paraqet stina e verës në furnizimin normal. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka përfunduar investimet në shtrirjen e rrjetit të ri në zonën e Kodër-Sharës pranë Kombinatit.Sipas Bashkisë së Tiranës, përfitues të kësaj ndërhyrje janë 150 familje të cilët prej vitesh kanë vuajtur kufizimet e ujit të pijshëm.Veliaj: Besoj se kjo është mënyra e drejtë për të ecur përpara, që qytetarët të jenë korrekt, dhe bashkia ua kthen në investime. Nuk presim të kalojnë 4 vjet, sa të vijë fushata e radhës që të bëjmë të njëjtat premtime, por ende pa u mbushur viti i parë, në të gjithë zonën e Kodër-Sharrës kemi sistemuar të dyja anët e kodrës. Uji i pijshëm ka qenë gjithmonë problem në këtë zonë, edhe pse ndodhen kaq afër depos së ujit. Është një nga ato çudirat shqiptare ku e ke burimin pranë, por nuk ke akses në të mirat materiale që sjell ai burim.Gjatë verës, ku për mjaft familje paraqet vështirësi furnizimi me ujë të pijshëm, Veliaj i bën thirrje kryeqytetasve të mos e shpërdorojnë ujin për të shmangur problemet në muajt në vijim.Veliaj: U kërkoj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është një mall që ka fund. Do të thotë se nuk e kemi ujin pafund, sidomos me afrimin e stinës së ngrohtë. Kësisoj, kursejnë edhe pagesat që i japin ujësjellësit për ujin e pijshëm dhe mbi të gjitha, të raportojnë e denoncojnë të gjithë ata që përdorin ujin e pijshëm për aktivitet komerciale, siç mund të jenë lavazhe apo ujitje jashtë çdo kriteri me ujë të pijshëm të tokave bujqësore.Drejtori i Ujësjellës-Kanalizime, Redi Molla, u shpreh se banorët e kësaj zone kanë mundësi që të përfitojnë nga skema e aplikuar për shlyerjen e borxheve si detyrime të papaguar në vite.Në zbatim të projektit të Ujësjellësit të Kodër-Sharrës janë shtrirë rreth 2 km tubacion, si dhe janë prerë të gjitha lidhjet e paligjshme që ekzistonin aty.