EULEX-it i zgjatet mandati deri më 14 qershor 2018

Jetëgjatësia e EULEX-it do të lidhet me përfundimin e rasteve dhe nuk do të kufizohet në kohë. E në rrethana të jashtëzakonshme, raste të reja do të mund të pranojë ky mision edhe pas 15 qershorit, shkruan sot Koha Ditore.Përafrimi në dy pikat e fundit kontestuese – njëra që lidhet me kohëzgjatjen e mandatit dhe tjetra me pranimin e rasteve të reja nga EULEX – është bërë pas diskutimeve që në këtë fillimjavë kanë zhvilluar autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian.Në Kosovë ka qëndruar shefi i operacioneve civile të BE-së, Kenneth Dean, i cili bashkë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe me shefin e EULEX-it, Gabrielle Meucci, ka takuar vendimmarrësit kosovarë. Një zgjidhje finale palët nuk e kanë gjetur akoma.

Për epilogun e bisedimeve nuk kanë folur në Zyrën e BE-së. Vetëm kanë theksuar se “BE-ja dhe Kosova janë duke finalizuar diskutimet mbi praninë e EULEX-it përtej qershorit”.E, përderisa vazhdojnë negociatat mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për detajet e mandatit të ardhshëm të misionit të EULEX-it në Kosovë, vendet anëtare të BE-së tashmë kanë arritur pajtimin e tyre që ky mandat të vazhdohet edhe për së paku dy vjet, pasi që mendohet se Kosova ka ende nevojë për praninë e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit dhe se në Kosovë sfidat e sigurisë janë të tilla që kërkojnë një prani të BE-së në këtë fushë edhe në të ardhmen.Burimet diplomatike të BE-së i kanë thënë “Kohës Ditore” të mërkurën se në takimin e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së (Coreper), në parim shtetet janë pajtuar të vazhdohet mandati i EULEX-it deri më 14 qershor 2018.