Meta-Gjukanoviç: Parlamenti ynë do të ratifikojë i pari anëtarësimin në NATO

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të sesionit plenar të pranverës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.Duke qenë se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në NATO, për shkak se i është dhënë drita jeshile, Meta tha se Parlamenti i Shqipërisë do të jetë i pari që do të ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se Shqipëria, e bindur për rëndësinë që stabiliteti i Malit të Zi ka për tërë rajonin tonë, mbështet pa rezerva progresin e vendit fqinj drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe vuri në dukje se Shqipëria dhe Mali i Zi qëndrojnë krah për krah në sfidat rajonale dhe globale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe NATO.Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç shprehu mirënjohjen e thellë ndaj mbështetjes së pakursyer dhe gjithnjë të qartë të Shqipërisë dhe vuri në dukje se marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve fqinje janë një model për të gjithë rajonin. Gjatë takimit, Meta dhe Gjukanoviç biseduan edhe mbi të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi, duke ndarë bindjen e përbashkët se të drejtat e pakicave janë një vlerë e shtuar për çdo vend të rajonit, ashtu si në të gjithë vendet anëtare të NATO-s.Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta dhe kryeministri Gjukanoviç u informuan prej Ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, Ferhat Dinosha mbi debatet e fundit rreth përdorimit të disa përkufizimeve shqetësuese në fjalorin e gjuhës malazeze nga ana e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, ku u nda bindja e përbashkët se terminologjitë e përdorura shkojnë ndesh me karakterin autokton të shqiptarëve të Malit të Zi./Ora News/