Kreu i ARRSH, Xhika: Vetëm 4% e aksidenteve janë për faj të sinjalistikës
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, ka hedhur poshtë faktin se aksidenti në Qerret të Kavajës ndodhi për shkak të sinjalistikës së gjymtuar. Xhika pohoi se nga statistikat e përgjithshme, rezultojnë në përqindje jo domethënëse rastet e aksidenteve për faj të sinjalistikës. Në shumicën e rasteve, aksidentet janë pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, tha kreu i ARRSH-së.Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, thotë se vetëm 4% e aksidenteve janë pasojë e sinjalistikës së cunguar.I pyetur për rastin e Qerretit, ku humbën jetën dy të mitur, 3 dhe 5 vjeç, Xhika tha se sinjalistika është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me dy vjet më parë.Dashamir Xhika: Statistikat e thonë qartë që vetëm 4% e këtyre aksidenteve ndodhin për shkak të sinjalistikës rrugore, pjesa tjetër është e faktorit makinë dhe e faktorit drejtues automjeti. Nuk e di nga kush janë hedhur këto akuza, por realiteti është shumë i qartë, shikohet se çfarë ndryshimi është bërë në drejtim të sigurisë rrugore dhe të sinjalistikës gjatë dy viteve të fundit ku janë investuar 3.2 miliard lekë dhe ndryshimi në akset kombëtare është tepër i dukshëm.Kreu i Autoritetit Rrugor ishte në urën e Paprit, pjesë e aksit Rrogozhinë-Kapshticë, ku inspektoi pajisjen e aksit me sinjalistikë.