Propozimi i Patozit: Rithemelimi i Republikës emergjencë kombëtare, në 2017 zgjedhje të parakohshme lokale

Deputeti i PD, Astrit Patozi bëri një propozimi që në zgjedhjet e vitit 2017, krahas zgjedhjeve parlamentare të zhvillohen edhe zgjedhje të parakohshme lokale.Patozi tha se rithemelimi i Republikës është një emergjencë kombëtare, duke realizuar një reformë të plotë kushtetuese, përfshi edhe reformën në drejtësi.Patozi: Mendoj se vetëm një reflektim i thellë i klasës politike do të ishte zgjidhja. Pas këtij rrënimi moral, kam bindjen e plotë se nevoja për rithemelimin e republikës është kthyer në një emergjencë kombëtare. Na duhet reformë e plotë kushtetuese, që të nisë me ligjin e ri elektoral, e cila përfshin natyrisht dhe reformën e famshme të drejtësisë, si kapitull të rëndësishëm të saj. Le të ulemi që sot për një kontratë të re sociale, sepse nuk mund ta zvarritet kaq pafundësisht tranzicioni i këtij vendi. Le ta fillojmë me zgjedhjet, sepse ato janë themeli i cdo shoqërie demokratike. Sepse aty i kemi rrënjët e cdo infeksioni, edhe këtë vërshim të krimit në politikë dhe në administratë, për shkak të zgjedhjeve të deformuara e kemi peshqesh. Sepse të fortët, që kanë adhur në parlament dhe sundojnë cifligje të tëra territoresh në bashkitë e reja të Shqipërisë, janë thirrur nën armë pikërisht për të rrëmbyer votat, me dhunë dhe me para të pista. Të ndahemi me vullnet të qartë nga kjo shëmti e frikshme, që na ka shndërruar në një shtet qesharak, i cili shërben si anekdotë për botën, si shembulli që nuk duhet ndjekur.Natyrisht, mund të ketë plot formula, të cilat nuk janë vështirë të gjenden, nëse duam realisht të dalim sa nuk është vonë prej kësaj gjendjeje të pashpresë. Duhet ta pranojmë publikisht se ne, sot në opozitë, nuk arritëm ta ndryshojmë aq shumë për mirë Shqipërinë, sa kemi thënë. Ndërkohë, është po kaq e vërtetë se këtu nuk ka pasur asnjë ditë të vetme “Rilindje”, që nga 2013-a e këtej, kur Edi Rama erdhi në pushtet bashkë me Ilir Metën. Por kjo nuk kalohet me një ndjesë, e cila, edhe po të shqiptohet, nuk i shërben askujt. Prej nesh priten akte të forta dhe unë po propozoj një të tillë, pa ndonjë shpresë të madhe se do të merret në konsideratë.Le të shkojmë vitin e ardhshëm në zgjedhje, jo vetëm për parlamentin e ardhshëm, por edhe për pushtetin vendor. Le të kemi zgjedhje të parakohshme lokale, sepse duhet ta pranojmë që jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Kjo do të shmangte edhe koston e dyfishtë, pasi e di që do të kërcenin përpjetë edhe qeveria edhe avokatët e saj për të na ruajtur nga gjoja shpenzimet e tepërta, meqë jemi vend i varfër.Le t’i quajmë zgjedhjet e vitit të shkuar si një shans të humbur, sepse të tilla ishin. Për shkak të problemeve të rënda që u vërejtën, të blerjes dhe deformimit të votës, por mbi të gjitha nga oferta e turpshme që iu bë shqiptarëve, me kandidatë me pesë emra, apo me të dënuar apo të arrestuar për trafik droge dhe prostitucioni.