Tahiri ironizon Nishanin: Duhet ta shpëtojmë Presidentin nga gënjeshtrat që ha….

Ministri i  Brendshëm, Saimir Tahiri tha pak momente më parë në seancën e Parlamentit se i ashtuquajturi skandal i përgjimeve ka marrë sot një kthesë.Duke përmendur deklaratën e drejtorit të Policisë Italiane sipas të cilit mjeti nuk ishte një pajisje përgjimi, Tahiri tha se Presidenti alarmoi një popull të tërë se po përgjoheshin njerëzit duke u bazuar në një informacion gojor.Tahiri: Shkoi deri në hartim listash se kush është përgjuar, pse është përgjuar si i është shkuar pas me përgjim. U ngrit një furtunë në gotë që lebetiti gjithë Shqipërinë. Sot kjo çështje ka marrë minimumi një përthyerje tjetër. Pra, pasi nuk u kursye as Presidenti të dilte publikisht dy herë, të vinte alarmin publik dhe t’i adresohej shqiptarëve, një populli të tërë duke i thënë që ka një pajisje përgjimi të konfirmuar siç tha Presidenti dhe kjo cenon sigurinë kombëtare. Sot kjo çështje ka marrë një përthyerje. Është drejtori i Policisë italiane, i cili informon Prokurorin se nuk është një pajisje përgjimi, nuk ka pasur kurrë një pajisje përgjimi, se nuk ka ndodhur kurrë që policia italiane të ketë sjellë në Shqipëri një pajisje përgjimi! Edhe ajo pajisje që ka ardhur nuk ofron mundësi teknike që të bëjë përgjime të ligjshme. Se edhe ajo pajisje trajnimi është një pajisje didaktike, e cila edhe sikur të çmendet një operator, nuk mund të bëjë përgjim sepse nuk ofron kapacitet teknik. Pra, policia italiane deri dje e nënkuptuar sipas jush, e përfshirë në këtë megaskandalin. Në qoftë se ishte pajisje përgjimi, mirë unë bandit, por edhe ata bandit, mirë policia e shtetit e mbushur me bandit, por edhe ata të mbushur me bandit, se qenkan shkulur italianët dhe vikan për të përgjuar Saliun, edhe Lulin. Ky skandal mori një përthyerje zyrtare, me një shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme italiane.Tahiri tha se Presidenti duhet të kërkonte sot falje publike në vend që të bënte një deklaratë për llogari të SHQUP-t.Tahiri Unë kam një pyetje për të gjithë ju: kush do t’i dalë në mbrojtje Presidentit të Republikës, se është në ditën e vet të hallit. Kush do ta shpëtojë Presidentin nga ky hall i madh që shkuli të madh dhe të vogël në Shqipëri se policia e Shtetit përgjon. Kur mësova se sot Presidenti do t’i kërkonte ndjesë qytetarëve dhe t’u thotë: më falni, mora një informacion gojor. Presidenti doli për halle politike të ShQUP-t.Si mund të rri ende në detyrë Presidenti i Republikës? Çfarë lloj Presidenti është ky që del në tv dhe del e i thotë publikut se është cenuar siguria kombëtare dhe këtë e ka me thashetheme. Tani që përgënjeshtrohet zyrtarisht, tani që autoritetet italiane e përgënjeshtrojnë, çfarë do të bëjë Presidenti? Sot duhet ta shpëtojmë Presidentin nga gënjeshtrat e vogla që i merr dhe i ha dhe del në publik dhe lëshon alarmin. Imagjinoni sikur Presidentit të Italisë t’i shkonte vetëm një llaf i vogël se policia italiane përgjonte, këtu tek ne kollajllëk i madh. Si mund të rri ende në detyrë presidenti i Republikës, kur doli dhe lëshoi alarmin? Në të dy skenaret, Presidenti duhet të dalë dhe të kërkojë ndjesë. Në skenarin më të keq, ai deshi ta besonte këtë gënjeshtër. Unë nuk e kam për të keq ndaj Presidentit të Republikës. Institucionin e Presidentit të Republikës  e respektoj maksimalisht, por sot duhet ta shpëtojmë Presidentin nga gënjeshtrat e vogla që i merr dhe i ha dhe del dhe lëshon alarmin./Ora News/