Rama: Nishani kryetar komplementar i PD. Presidenti: Sjellje ordinere, paburrë!
Nga salla e parlamentit, kryeministri Edi Rama ka sulmuar presidentin Bujar Nishani, duke theksuar se është vënë në shërbim të Partisë Demokratike.Rama: Angazhuat Presidentin e Republikës, të cilin e keni kthyer në një kryetar komplementar të Partisë Demokratike për të dalë publikisht dhe për të marrë nën mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të parafytyrojë mendja normale, po të lexojë ligjin dhe po të shikojë konfliktin e interesit. Ndaj deklaratave të kryeministrit ka reaguar ashpër presidenca. Në një njoftim për shtyp, theksohet indinjata nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës.“Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar.Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”, thekson presidenca.Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale."Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve dhe të luftojë korrupsionin. Presidenti apelon kryeministrin që të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj", thekson Presidenca.Ndërkohë, pasi drejtori i policisë italiane njoftoi prokurorinë shqiptare se pajisja e dërguar nga shteti fqinj ka qenë trajnuese dhe nuk është përdorur asnjëherë për asnjë lloj përgjimi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga salla e parlamentit iu drejtua deputetëve demokratë duke i pyetur se kush do ta shpëtojë presidentin nga ky mashtrim. Tahiri: Por unë kam një pyetje për këtë parlament; kush e shpëton sot Presidentin e Republikës? Si mund të rrijë ende në detyrë Presidenti i Republikës? Si mund të rrijë ende në detyrë kur doli dhe lëshoi alarmin se Policia e Shtetit përgjoka në mënyrë të paligjshme, dhe këtë alarm e futi në çdo shtëpi, duke iu adresuar publikut. Por mirë, çfarë lloj Presidenti është ky që del në televizion dhe i thotë publikut: është cenuar siguria kombëtare, dhe këtë e ka me thashetheme!Me Tahirin replikoi Flamur Noka: Në vend që të japë dorëheqje dhe të shkojë para drejtësisë, del këtu dhe mundohet të na tregojë se këtu gjithçka u zhvilloka mbi bazën e ligjit, se fajin nuk e paska ky së bashku me kupolën e policisë që e ka kthyer në kupolë kriminale. Pas këtij debati deputetët demokratë u larguan nga salla e Parlamentit.https://youtu.be/xiRoxrDQ2kQ/Ora News /