Erdogan propozon Binali Yildirim për postin e kryeministrit

Binali Yildirim është kandidati i propozuar nga partia AK e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për të zëvendësuar kryeministrin  e tërhequr Ahmet Davutoglu. I besuar i Erdogan, Binali Yildirim pritet të konfirmohet në krye të partisë gjatë kongresit të jashtëzakoshëm të së dielës. Përzgjedhja nuk ka befasuar askënd, pasi emri i tij bashkë me dhëndrin e Erdogan janë lakuar prej kohesh për marrjen e postit.Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Presidentit Rexhep Taip Erdogan ka propozur për postin e Kryeministrit, ministrin aktual të Transportit Binali Yildirim, pas kontradiktave mes kreut të shtetit dhe ish kryeministrit Ahmet Davutoglu që sollën dorëheqjen e këtij të fundit. Yildirim njihet si një nga personat më të afërt me Taip Erdogan, i cili kërkon që në krye të qeverisë të vendoset një aleat i ngushtë i tij. Kjo zgjedhje në fakt nuk ka befasuar askënd në Turqi, duke llogaritur  besnikërinë absolute që  Yildirim ka treguar ndaj Erdogan edhe në momentet më të vështira.Pritet që 60 vjecari të konfirmohet si kryetari i ri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim gjatë një kongresi të jashtëzakonshëm, i cili do të mbahet të dielën. Sipas ligjeve në Turqi, lideri i partisë në pushtet merr automatikisht postin e kryeministrit. Pavarësisht se pak kohë më parë AKP deklaroi se në krye të qeverisë do të vendosej një figurë jo shumë e njohur, kjo nuk ndodhi me përzgjedhjen e Binali Yildirim.Megjithëse kohët e fundit dhëndrri i Erdogan dhe minsitri aktual i energjisë Berat Albayrak u përmend si një kandidat potencial, emri i tij nuk u përfshi në vendimin e marrë nga anëtarët e partisë. Erdogan po mundohet ta kthejë Turqinë nga një republikë parlamentare në një republikë presidenciale, ashtu si funksionon në Sh.B.A, për të rritur në këtë mënyrë fuqinë ezkekutive të presidentit.