Libi, fuqitë ndërkombëtare bien dakord për armatosjen e qeverisë
Në kushtet kur Shteti Islamik po zgjerohet gjithnjë e më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive ndërkombëtare kanë rënë dakord që të dërgojnë armatime për qeverinë e Libisë. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili njoftoi se palët do të bëjnë një kërkesë zyrtare në OKB, në mënyrë që Libisë t'i hiqet embargoja e armëve. Ndërkohë, qeveria libiane ka bërë me dije se në rast se nuk do të ketë përkrahje ndërkombëtare, ISIS mund të marrë nën kontrroll një pjesë të konsiderueshme të vendit.Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë ndërkombëtare kanë rënë dakord për të dërguar armatime për qeverinë e Libisë, në mënyrë që kjo e fundit të ndalë zgjerimin e mëtejshëm të Shtetit Islamik. Lajmi është komunikuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili u shpreh se palët do të bëjnë një kërkesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për heqjen e embargos së armëve. Ai tha se kjo masë është tejet e nevojshme në kushtetet kur ISIS po rrit gjithnjë e më shumë prezencën në shtetin afrikano verior. Kerry tha gjithashtu se qeveria e mbështetur nga ndërkombëtarët është e vetmja alternativë për të bashkuar vendin si dhe e vetmja zgjidhje për krizën.Më herët edhe qeveria libiane që mbështetet nga ndërkombëtarët ka kërkuar për armatime në mënyrë që t'i bëjë ballë rrezikut të Shtetit Islamik. Ata deklaruan se në rast se nuk do të marrin ndihmën e nevojshme, kjo organizatë terroriste mund të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, i cili nuk ka arritur të krijojë një qeveri të fortë.Duke parë se ISIS ka humbur shumicën e territoreve në Siri, ekspertët e sigurisë ndërkombëtare kanë dhënë alarmin se ekstremistët mund të shohin Libinë si një alternativë për të shtrirë kontrrollin e tyre. Aktualisht situata në Libi është mjaft kaotike kur dy qeveri të ndryshme po luftojnë për pushtet ndërkohë që në vend Shteti Islamik po kryen masakra të njëpasnjëshme./Oranews.tv/