Konf. Gjyqësore: Protesta e Veliajt presion ndaj gjyqësorit, e papranueshme
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare ka organizua një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me protestën e zhvilluar përpara Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë dy ditë më parë (11.05.2016)Teksa shpreh shqetësimin ndaj sulmit të organizuar ndaj një gjyqtari dhe gjykate, siç e cilëson deklarata, Këshilli Ekzekutiv thekson se po ndjek me shqetësim gjithçka ka ndodhur.“Kemi ndjekur me shqetësim organizimin tubim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, nëpunësve të Bashkisë Tiranë, deputetëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës para Gjykatës së Apelit Administrativ gjatë ditës dhe kohës kur në gjykatë po zhvillohej gjykimi i një çështje administrative. Ushtrimi i këtij presioni demostrativ nuk i shërben aspak misionit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe dhënies së drejtësisë. Demostrimi me tubime para gjykatës i pakënaqësive të palëve ndërgjyqëse, nuk mundet të jetë kurrsesi forma ligjore e mbrojtjes, aq më shumë kur kjo gjë ndodh nga persona zyrtar që përdorin administratën për këto qëllime dhe në emër e për llogari të institucioneve kushtetuese”, thuhet në reagim.Më tej, deklarata thekson se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe se pavarësia e gjyqësorit është parakusht për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.“Gjithkush duhet të mbajë parasysh se, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarit, trupës gjyqësore apo gjykatave passjell përgjegjësi sipas ligjit. Në funksion të garantimit të procesit të dhënies së drejtësisë do të duhet që palët, personat zyrtar që përfaqësojnë ato, të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje përpara gjykatës. Kështu, kërkojmë që veprime të tilla të mospërsëriten më në të ardhmen”, përfundon reagimi./Ora News/