SHBA, Meta pritet nga zyrtarë të drejtësisë: Reforma në fazën përfundimtare

Nga SHBA ku po zhvillon një vizitë prej disa ditësh, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkon që Reforma në Drejtësi të monitorohet që të jetë e suksesshme. Gjatë takimit që u zhvillua në Departamentin e Drejtësisë në Uashington DC, Ndihmës Asistent Prokurori i Përgjithshëm i SHBA për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Bruce Swartz garantoi se OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë për forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri.Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkon nga SHBA monitorim të Reformës në Drejtësi. Në një takim me Ndihmës Asistent Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Bruce Swartz, kreu i kuvendit shqiptar konfirmoi vendosmërinë për miratimin e reformës në drejtësi.Ilir Meta: " Reforma në Drejtësi duhet të monitorohet në mënyrë që të jetë një histori suksesi. Kjo reformë e thellë do të shërbejë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të publikut si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ne jemi të vendosur, ta çojmë përpara këtë reformë edhe me plotësimin e akteve të tjera ligjore, si një domosdoshmëri për të luftuar me efikasitet korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t'i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri."Zyrtari i lartë amerikan për drejtësinë, Bruce Swartz shprehu rëndësinë e veçantë që SHBA i kushtojnë miratimit të kësaj reforme dhe theksoi se Departamenti i Drejtësisë dhe misionet e asistencës OPDAT dhe ICITAP do të vazhdojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin forcimin e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të përballimit të krizës së refugjatëve dhe nevojës për një koordinim më të mirë mes vendeve, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të informacionit mes agjencive të inteligjencës dhe atyre të zbatimit të ligjit për të parandaluar infiltrimin e terroristëve mes refugjatëve që janë larguar nga vendet e tyre për arsye humanitare./Oranews.tv/