“Baroni i drogës”, EUROPOL: Hetimet me intensitet, të tjera arrestime së shpejti
Për aksionin ndërkombëtar të ndërmarrë së fundi nga policia greke, ka reaguar edhe EUROPOL, i cili bën me dije se deri më tani janë arrestuar 17 persona, 11 grekë dhe 6 shqiptarë.Europol thekson se rrjeti i trafikut të drogës është shtrirë në shkallë të gjerë, ndërsa operacioni është udhëhequr nga Greqia në bashkëpunim me Belgjikën dhe Europolin. Rrjeti kishte si bazë Greqinë dhe shpërndante drogë në shumë vende evropiane, duke përfituar qindra milionë euro.Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë transportuar nga kompani transporti rrugor fillimisht në Bullgari dhe Austri dhe më pas në vende të tjera. Operacioni i gjerë policor është kryer në Greqi dhe në Belgjikë.Sipas Europol, në Greqi janë sekuestruar 698 kg kanabis ndërsa në Belgjikë, 96.5 kg hashash. 15 persona janë arrestuar në Greqi dhe 2 të tjerë në Belgjikë. “Hetimi është në vazhdim e sipër dhe arrestime të tjera priten në të ardhmen e afërt”, thekson agjencia evropiane Europol.Agjencia bën me dije në deklaratë se ka mbështetur hetimet, duke ofruar mbështetje operative dhe ndihmë ligjore, si dhe duke kryer analizat e drogës. Një sektor i posaçëm brenda kësaj agjencia, i specializuar për trafikun e kokainës që prej vitit 2011, ka dhënë asistencën e vet në këtë drejtim.
/Ora News/